Me 224 amendamente pritet të nisë shqyrtimi i ribalancit të Buxhetit të RMV-së
Shqyrtimi i amendamenteve për ribalancin e Buxhetit pritet të nisë sot në Kuvend. Para anëtarëve të Komisionit janë paraqitur gjithsej 224 amendamente: 87 nga BDI, 78 nga LSDM, 51 nga Levica dhe 8 nga koalicioni VLEN, transmeton Portalb.mk.
Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për amendamentet mund të zgjasë deri në dhjetë ditë pune, pas së cilës propozim-ribalanci i Buxhetit do të shqyrtohet në seancë plenare.
Gjatë debatit të përgjithshëm treditor, deputetët e pushtetit dhe të opozitës paraqitën qëndrime të kundërta. Sipas VMRO-DPMNE-së, ribalanci ka karakter zhvillimor dhe parasheh investime të reja e të konsiderueshme në projekte kapitale infrastrukturore, të cilat pritet të nxisin aktivitetin ekonomik, të krijojnë vende të reja pune dhe të përmirësojnë standardin e jetesës.
Nga ana tjetër, LSDM vlerëson se parashikimet e ribalancit janë joreale, jo serioze dhe vështirë të realizueshme, pasi, sipas saj, bazohen në pritshmëri tepër optimiste.