Mbrojtja e Merkos kërkoi përjashtimin e gjyqtares pasi nuk e pranoi propozimin për vjetërsimin veprës penale për blerjen e Audi-ut luksoz

Sot në Gjykatën Themelore në Strugë është shtyrë seanca kryesore për gjykimin ndaj kryetarit të komunës së Strugës Ramiz Merko, për blerjen e veturës luksoze “Audi A6” në vlerë prej 67 mijë eurove dhe tri vetura të tjera. Mbrojtja e Merkos kërkoi përjashtimin e gjyqtares Nadica Mitreska për shkak se, siç tha mbrojtja, janë shkelur të drejtat e mbrojtjes në seri duke filluar nga inspektimi, si dhe mospranimi i propozimit për vjetërsimin e ndjekjes penale. Do të pritet vendimi i kryetarit të Gjykatës Themelore të Strugës lidhur me kërkesën e parashtruar për lirim, transmeton Portalb.mk.

“Unë mendoj se për këtë gjykatë ka vetëm një palë, ajo është Prokurori Publik, gjykata bën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit që garanton gjykim të drejtë. Ajo nuk ka dorëzuar provat e dorëzuara në mbrojtje para se gjykata të merrte vendim dhe ia mohoi të drejtën mbrojtjes për të marrë një vendim të duhur”, tha avokati i Merkos.

Gjyqtarja Mitreska, e cila e hodhi poshtë kundërshtimin e vjetërsimit relativ të veprës për shkak të pushimit, thotë se mbrojtja ka të drejtë ligjore të kërkojë përjashtim.

“Kërkimi i një përjashtimi është një e drejtë ligjore nëse pala mendon se ka vend. Unë besoj se jam e paanshme, se veproj absolutisht me ndërgjegje dhe në përputhje me ligjin. Do të presim një vendim dhe më pas do të shohim. Brenda 24 orëve, mbrojtja do të paraqesë një propozim të arsyetuar duke detajuar pse kërkon përjashtimin tim. Po ashtu do të dihet nëse rasti do të jetë tek unë apo me ndonjë gjyqtar tjetër në Gjykatë”, thotë Mitreska.

Prokuroria themelore publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit po ndjek penalisht kryetarin e Strugës Merko për shpërdorim detyre, një akuzë që erdhi dhjetë muaj pasi Shtetet e Bashkuara e futën në listën e zezë për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Merko, akuzohet se pa miratimin paraprak të Planit Vjetor për Prokurim Publik nga Këshilli i Komunës dhe në kushtet kur komuna kishte një llogari të bllokuar, ai ka blerë 4 automjete, përfshirë edhe veturën Audio A6 në vlerë prej gati 67 mijë euro.

Ai gjithashtu hetohet edhe për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorime tjera gjatë emërimit të drejtorëve në disa shkolla të Strugës.