Mbrëmë u mbajt nata e parë e Festivalit “Ballkan Fest”, i cili mblodhi një publik artdashës të këngës e valles shqipe

Mbrëmë në Pallatin e Kulturës në Kumanovë ka filluar edicioni i katërt i Festivalit “Ballkan Fest” i organizuar nga Ansambli i këngëve dhe valleve “Bajram Shabani” në Kumanovë. Ky festival solli para artdashësve këngë e valle shqipe nga të gjitha trojet shqiptare, ansamble e shoqëri të ndryshme nga brenda e jashtë vendit për të argëtuar publikun kumanovar dhe më gjerë, njofton Portalb.mk.

Në natën e parë mbrëmë u prezantuan shoqëritë kulturore artistike;

  • AKV “Bajram Shabani”-Kumanovë
  • QK “Anamorava” -Viti, Kosovë
  • AKV “Muzeqeja” -Fier, Shqipëri
  • AKV “Gjilani-Gjilan”, Kosovë
  • SHKA “Inegol Rumeli Arnavut” Inegol, Turqi

Të gjitha grupet pjesëmarrëse sollën para një program të pasur kulturor nga më të ndryshmet, duke e pasuruar kulturën tonë shqiptare.

Foto nga Festivali "Ballkan Fest" nga drejtoria e festivalit
Foto nga Festivali “Ballkan Fest” nga drejtoria e festivalit
Foto nga Festivali "Ballkan Fest" nga drejtoria e festivalit
Foto nga Festivali “Ballkan Fest” nga drejtoria e festivalit
Foto nga Festivali "Ballkan Fest" nga drejtoria e festivalit
Foto nga Festivali “Ballkan Fest” nga drejtoria e festivalit

Drejtori i AKV” Bajram Shabani” Driton Ramadani e shpalli të hapur këtë edicion, ku në fjalën e tij përshëndetëse tha se janë munduar të sjellin vallen e këngën shqipe nga gjitha trojet shqiptare.

“Ne misionin e kemi kryer ju kemi sjellë kumanovarëve një program të pasur kulturor me këngë e valle nga më të ndryshmet. Kështu ushqehet tradita, kështu ushqehet kultura shqiptare”, deklaroi Driton Ramadani drejtor i festivalit.

Sonte nën natë e dytë do të paraqiten grupet artistike:

  • SHKA “Presheva” Preshevë
  • AKV “Ibe Palikuqi” Shkup RMV
  • SHKA “Zëri i Kosovës” Fush Kosovë
  • SHKA “Jeta e Re” Sllupçan RMV
  • QK “Kaçaniku” Kaçanik, Kosovë
  • AKV “Bajram Shabani” Kumanovë
  • SHKA “Inegol Rumeli Arnavut” Inegol, Turqi

Ky festival është ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore për ruajtjen dhe promovimin mbarëkombëtar të trashëgimisë jo materiale. Qëllimi i këtij festivali është të përcjellë vlerat më të bukura e të larmishme të trashëgimisë shpirtërore, etnomuzikore, etnografike, si dhe prezantim me kostumet e mrekullueshme popullore nga të gjitha zonat e trevat e ballkanik.

Festivali ka karakter garues, dhe janë paraparë disa çmime edhe për këtë edicion.