Përfundoi me sukses edicioni i 28-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”
Për të 28 herë me radhë, poetët nga mbarë bota, si dhe poetë shqiptarë nderuan gjuhën shqipe, Naimin, shqiptarët… Edicioni i XXVlll i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili u mbajt në datat 17 dhe 18 tetor 2024, ishte një festë, një ngjarje e madhe kulturore. Ky projekt shënjues kulturor me karakter ndërkombëtar programin e tij e zhvilloi në Tetovë. Atë e karakterizoi një program letrar, artistik dhe kulturor. Në të u mbajtën disa lexime poetike, u bë një përurim libri, ndarja e çmimeve të ndryshme letrare, si dhe u bënë vizita në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës, raporton Portalb.mk.
Në këtë edicion morën pjesë mbi 20 poetë nga vende të ndryshme të botës dhe poetë nga e gjithë hapësira shqiptare, si: Jennifer Maloney (SHBA), Gale Berns (Britania e Madhe), Lina Buividavičiūtė (Lituani), Kristina Stoltz (Danimarkë), Francoise Roy (Kanada), Hasan Erkek (TurqI), Stefania Romito (Itali), Maja Panajatova (Bullgari), Maria Mistrioti (Greqi), Hristo Petreski (Maqedonia e Veriut), Olimbi Velaj (Shqipëri), Vanja Shteriova (Maqedonia e Veriut), Ndue Ukaj (Kosovë), Daim Ilazi (Maqedonia e Veriut), Juliana Veliçkovska (Maqedonia e Veriut), Remzi Salihu (Maqedonia e Veriut), Zhaneta Barxhaj (Shqipëri), Bujar Plloshtani (Maqedonia e Veriut) dhe Arjan Kallço (Shqipëri).
Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u qel, përmes një performance fishekzjarrësh para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, laureatja rumune Magda Carneci dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit të madh Naim Frashëri. Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje i’u dhurua Antologjia me poezi të poetëve pjesëmarrës, si dhe libra të tjerë të botuar nga shtëpia botuese e Festivalit.
Më pas, në Sallën e Madhe u bë hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 28-të FNP “Ditët e Naimit”, ku hapjen e bëri drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu.
Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci recitoi poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano dhe në violë ekzekutuan virtuoz të muzikës klasike.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve, gjithashtu u nda edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” laureates Magda Carneci, të cilës juria e Festivalit e përbërë nga Fiona Sampson (kryetare), Olimbi Velaj (anëtare) dhe Ndue Ukaj (anëtar), ja ndanë kohë me parë. Gjithashtu, laureates i’u nda edhe titulli i lartë “Anëtar Nderi” i Festivalit.
Në ditën e dytë të Programit, u bë përurimi librit me poezi “Shpella e Dantes”, i poetes angleze, Fiona Sampson. Poetët vazhduan ti vizitojnë monumetet kulturore dhe historike të qytetit të Tetovës dhe në Teqenë Arabati Baba, dhe më pas u mbajt edhe ora letrare “Poetë dhe vargje”.
Ndërkaq, në mbrëmje, në Qendrën për Kulturë u mbajt ora letrare “Meridiane poetike”, ku krijimet e tyre i lexuan poetët pjesëmarrës, si dhe u ndanë çmimet letrare “Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi”, Qiriu i Naimit” dhe “Silke/Liria”.
Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare i’u nda poetit Hasan Erkek (Turqi), ”, Gale Berns (Britani e Madhe) i’u nda çmimi “Menada”, Julijana Veliçkovska (Maqedoni) i’u nda çmimi “Oeneumi”, Kristina Stoltz (Danimarkë), fitoi çmimin “Silke/Liria”, Maja Panajatova (Bullgari) i’u nda çmimi “Qiriu i Naimit” dhe Magda Carneci (Rumani) i’u nda çmimi i madh “Naim Frashëri”.
Festivalin e mbështeti në mënyrë simbolike Ministria e Kulturës. Sponzorë të Festivalit janë restorantët “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.