Mbi humbësin dhe fituesin e fisëm

I admiroj humbësit që nuk shfaqin servilizëm dhe as nuk kërkojnë mëshirë apo shteg për të shpëtuar lëkurën, por e ruajnë krenarinë edhe pas disfatës. Ata nuk e kanë humbur vetveten.

Humbësit që ligështohen, servilosen, fajësojnë të tjerët dhe vetëshfajësohen, kanë qenë humbës para se të pësonin disfatë.

I admiroj edhe fituesit që e mbrojnë dinjitetin e humbësit. Ata janë të fisëm, ashtu si kreshnikët e poemave homerike apo të eposit shqiptar. Fituesit që sillen me respekt ndaj humbësit, kanë qenë fitues para se të shpallej fitorja.

I përçmoj fituesit e ekzaltuar, që sillen me arrogancë dhe mendjemadhësi ndaj humbësve. Ata e ka humbur vetveten dhe janë nisur rrugës së humbjes.

Fitoret e mëdha shoqërohen me arrogancë të madhe, prandaj fituesit e mëdhenj shpesh kanë fund të trishtueshëm.

Për fituesit që s’dinë se çfarë të bëjnë me fitoren, shija e fitores shpejt bëhet më e hidhur sesa shija e humbjes. Kjo na kujton fjalët e Pjer Kornejit në veprën Horaci: “Fitoren tuaj e druaj, njësoj si humbjen tonë”.

Janë madhështorë vetëm fituesit që nuk e humbin fisnikërinë dhe humanizmin.

Poshtëshënim: Kjo sprovë është shkruar nga një njeri që ka njohur më shumë humbje sesa fitore jetësore, që humbjet nuk e kanë ligështuar, kurse fitoret nuk ia kanë errësuar mendjen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.