Mbi ëndrrat dhe zhgjëndrrat ballkanase

I gjendur në udhëkryqin që ndanë dhe bashkon Lindjen dhe Perëndimin, Siujdhesa Ballkanike është prej shekujsh vendtakimi ku lulëzoi diversiteti kulturor i etnive të ndryshme, veçmas i popujve autoktonë, si: ilirët, trakët dhe grekët, që janë hisedarë të pamohueshëm në trashëgiminë e madhe shpirtërore e materiale të Ballkanit, të cilin Evropa, jo rastësisht, e konsideron djep të kulturës së saj. 

Fatmirësisht, përkundër pushtimeve të egra nga perandoritë e mëdha, si ajo romake, bizantine e osmane dhe perandoritë rajonale, si ajo bullgare dhe serbe, edhe në trojet shqiptaret kanë mbijetuar gjurmë tejet të rëndësishme të kulturës materiale e shpirtërore. Sipas arkeologut me autoritet ndërkombëtar Neritan Cekës, Shqipëria është muze i gjallë i trashëgimisë së lashtë kulturore. “Tek ne ka ekzistuar një mbivendosje kulturash të hapura sa me lindjen aq edhe me perëndimin, konstaton profesor Ceka. Ne, kemi një histori mesjetare që është një nga periudhat me vlerë të vërtetë Evropiane. Vetëm pjesa e arkeologjisë në Shqipëri, është kaq e pasur sa nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e muzeve në botë”.

Në këtë kontekst përmenden kishat mesjetare të stilit gotik; pikturat dhe afresket e rralla të periudhës bizantine; kodikët e hershëm të kohës së Krishtit; kompozimet e mjeshtrit të madh të artit muzikor Jan Kukuzelit nga Durrësi, veprat e të cilit studiohen në universitetet e mëdha të botës; pikturat e Onufrit nga Berati që duken si imazhe të gjalla; veprat arkitektonike te Mikelanxhelos së Orientit – Mimar Sinanit nga Qesarati i Tepelenës, që janë me karakter fetar dhe laik dhe shumë vepra të tjera arti të krijuara përgjatë shekujsh nga paraardhësit tanë, që kanë lënë gjurmë në kulturën evropiane dhe jo vetëm.

Falë aftësive të tyre, ata zunë pozita të larta edhe në ushtritë dhe administratat e perandorive të mëdha. Ndër personalitetet e tillë u dallua heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që fillimisht i solli fitore të mëdha ushtrisë osmane, gjersa përgatiti terrenin për bashkimin e princërve shqiptarë dhe nisjen e luftës çlirimtare kundër njërës nga superfuqitë më të frikshme të kohës, duke mbrojtur, jo vetëm Atdheun e tij, por edhe Evropën, e cila u tregua mosmirënjohëse dhe, në vend se të mbrojë interesat tona kur u poqën kushtet për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, organizoi konferenca për ricopëtimin e Shqipërisë dhe lejoi fqinjët nëpërka të robtojnë më shumë se gjysmën e saj.

100 vite më pas, Evropa sikur u pendua për padrejtësitë e mëdha, ndaj përkrahu vendosmërinë e amerikanëve për të ndërprerë gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës, por nuk la asnjë shteg për bashkimin e saj me shtetin amë, duke premtuar se bashkimi do të ndodhë kur shtetet e Ballkanit do të bëhen pjesë e BE-së. Që atëherë kanë kaluar më shumë se dy dekada, por ballkanasit, mes të cilëve jeton një numër i madh shqiptarësh, mbahen larg portave të BE-së, me pretekstin se akoma nuk i kanë plotësuar kushtet për të qenë anëtarë të shtëpisë së madhe evropiane, duke harruar se pikërisht për shkak të politikave të tyre hegjemone mbetëm të vegjël, të varfër dhe larg të tjerëve në të gjitha dimensionet e jetës: ekonomi, infrastrukturë, drejtësi, arsim, kulturë…

Për hir të së vërtetës duhet pranuar se ne akoma nuk i kemi plotësuar kushtet që kërkon Evropa, por janë të shumtë edhe ata që shtrojnë pyetjen: Nëse janë njerëzit e një vendi ata që duhet t’i plotësojnë kushtet për t’u anëtarësuar vendi i tyre në BE, përse shtetet e këtij kampi e shprazin Ballkanin nga të rinjtë për të mbajtur gjallë ekonominë dhe popullatën e plakur evropiane?

Mos është në pyetje rengu për popullimin e vendeve të BE-së me evropianë ballkanas, që lënë pas vetes sinore të shprazura, ku me shumë qejf do të nguliten përsijeta refugjatë afro-aziatë, që nuk i ka fort për qejfi pjesa “mrutë” e Evropës së Gjergj Fishtës…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.