Mbi 35 mijë qytetarë nuk e kanë përfunduar regjistrimin në e-shërbimet tatimore, DAP me thirrje ta kompletojnë procedurën
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) u bëri thirrje qytetarëve që nuk e kanë përfunduar regjistrimin në sistemin e-shërbimet tatimore që ta kompletojnë procedurën, pasi në sistem janë evidentuar mbi 35 mijë regjistrime të papërfunduara transmeton Portalb.mk.
Nga DAP informojnë se bëhet fjalë për qytetarë të cilët kanë paraqitur kërkesë për hapjen e një profili përdoruesi si obligues tatimorë, persona fizikë, por procesi i regjistrimit nuk është përfunduar plotësisht.
Në kuadër të aktiviteteve për finalizimin e procesit, këtyre qytetarëve u janë dërguar njoftime të personalizuara nga adresa elektronike [email protected], me udhëzime për hapat e mëtejshëm.
“Nëse jeni pjesë e këtyre qytetarëve, ju ftojmë t’i drejtoheni zyrës kompetente të Drejtorisë së të Ardhurave Publike me një dokument të vlefshëm identifikimi, në mënyrë që një zyrtar i autorizuar t’ju miratojë regjistrimin”, njoftuan nga DAP.
Nga atje theksojnë se profili aktiv i përdoruesit mundëson shfrytëzimin e shërbimeve elektronike përmes portalit shtetëror, qasje në Deklaratën Vjetore Tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale, marrjen e vërtetimit për të ardhurat e realizuara, si dhe shkëmbimin e të dhënave me institucione të tjera gjatë realizimit të të drejtave të qytetarëve.
Po ashtu, profili aktiv është kusht edhe për përdorimin e aplikacionit “TVSH-ja ime”, përkatësisht për skanimin e faturave fiskale dhe realizimin e të drejtës për kthimin e një pjese të TVSH-së.
Për informacione shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në adresën elektronike [email protected] ose në numrat e telefonit 02/3253-200 dhe 0800 33 000 (i qasshëm vetëm nga rrjeti telefonik fiks).