Mbi 10 mijë pacientë për 9 vjet në Repartin e Kardiologjisë Intervenuese në Tetovë, ka mungesë të personelit (Video)

Numri i pacientëve në Repartin e Kardiologjisë Intervenuese në Tetovë është rreth 10 – 12 çdo ditë. Ky repart dje shënoi nëntë vjetorin ndërkaq në këto vite janë trajtuar mbi 10 mijë pacientë, ndërkaq reparti ka mungesë të stafit. Kështu deklaruan mjekët e këtij reparti në një konferencë për shtyp, transmeton Portalb.mk.

Shefi i Repartit të Kardiologjisë Intervenuese, doktori Valon Asani theksoi se ky repart çdo ditë e më shumë ka frekuencë të shruar të pacientëve dhe se është bërë qendër rajonale për Rajonin e Pollogut ku e frekuentojnë pacientë prej Tetove, Gostivari, Shkupi, Dibre, Kërçove.

“Vitin e fundit kemi numër të madh të pacientëve, më shumë kemi pacientë nga jashtë se prej Tetove. Kjo është përgjegjësi e madhe por edhe mburrje për repartin tonë. Për këto vite kemi arritur mbi 10 mijë pacientë që janë trajtuar këtu, tani kemi shtim të punës”, tha Asani.

Ai tha se me punimet që po bëhen pritet të ketë shtim të punës, pacientëve por edhe procedurave të reja që do fillojnë në vitin e ardhshëm.

Pavarësisht kësaj, mjekët theksuan se ka mungesë të stafit.

“Normalisht që ne tentojmë që ta mbulojmë rrethin 24/7, besoj që në të ardhmen jo vetëm me mjek por edhe me personel të mesëm të cilët janë pak realisht… Besoj që pas disa vjetëve do të funksionojë edhe me kolegë tjerë të cilët do jenë të trajnuar, pasi aftësimi i mjekëve për intervenime – koha është pak më e gjatë”, tha Asani.

Mjekët theksuan gjithashtu se gjatë punës së tyre përballen me problemin e rrezatimit.

“Rrezatimi është faktor të cilit ne nuk mund t’i shmangemi gjatë punës tonë edhe është rrezikshmëri e lartë për shëndetin tonë, por ne e kemi vendosur shëndetin tonë në anë të dytë për kudër trajtimit të pacientëve të cilët ballafaqohen me sëmundje akute, të cilën ne e trajtojmë pasi është me rrezikshmëri të lartë për vdekje, ne bëjmë parandalim të vdekjes në suaza momentale kur ballafaqohet pacienti”, tha Asani.

Ndryshe, mjekët theksuan se në këtë repart në krahasim me më parë, tani nuk ka pritje të gjata nga ana e pacientëve.