Mbi 1.000 të vdekur nga tërmeti në Mianmar
Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm 7.7 ballësh në Mianmar është rritur në më shumë se 1.000 të shtunën, pasi ekipet e shpëtimit nxorën më shumë trupa nga rrënojat e dhjetëra ndërtesave që u shembën kur tërmeti goditi në afërsi të qytetit të dytë më të madh të vendit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Qeveria e udhëhequr nga ushtria e vendit tha se 1.002 njerëz kanë vdekur dhe 2.376 të tjetër janë lënduar, ndërsa 30 të tjerë janë zhdukur.
Mianmari është në mes të një lufte të gjatë dhe të përgjakshme civile, e cila tashmë ka shkaktuar një krizë të madhe humanitare. Kjo e bën lëvizjen nëpër vend si të vështirë ashtu edhe të rrezikshme, duke i ndërlikuar përpjekjet e ekipeve të shpëtimit dhe duke rritur frikën se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm.
Tërmeti goditi mesditën e së premtes me epiqendër jo shumë larg Mandalait, dhe u pasua nga disa pasgoditje, përfshirë një të fuqishme 6.4 ballësh.
Në kryeqytetin Naipidav, ekipet punuan të shtunën për t’i ndrequr rrugët e dëmtuara, ndërsa në pjesën më të madhe të qytetit shërbimet e energjisë elektrike, telefonit dhe internetit mbesin të ndërprera.
Tërmeti rrëzoi shumë ndërtesa, përfshirë disa njësi që strehojnë nëpunës civilë të qeverisë, por ajo zonë e qytetit u bllokua nga autoritetet të shtunën.
Dëme edhe në Tajlandë
Autoritetet tajlandeze thanë se tërmeti dhe pasgoditjet u ndien në shumicën e provincave të vendit.
Shumë zona në veri raportuan dëme në ndërtesa banimi, spitale dhe tempuj, përfshirë në Chiang Mai, por viktimat pati vetëm në Bangkok.
Tërmetet janë të rralla në Bangkok, por kryesisht të zakonshme në Mianmar.