Mbaroi në Komision dita e parë e debatit për rebalancin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut

Në Komisionin kuvendor për financa dhe buxhet sot ka mbaruar dita e parë e debatit në lidhje me rebalancin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Debati i ditës së parë u karakterizua me debate ndërmjet pushtetit dhe opozitës, ndërsa dita e dytë e debatit pritet të vazhdojë nesër prej orës 11:00. Seanca dëgjimore në Komision do të jetë tri ditë.

LSDM-ja theksoi që me ribalanc nuk planifikohet mbështetje financiare për kompanitë vendore, ndërsa Fronti Evropian alarmoi që me ribalanc do të rritet borxhi publik mbi 68 përqind. Ministrja e Financave, Gordana Dimitreska – Koçoska vlerësoi që ky rebalanc do të krijojë zgjidhjen më të mirë të mundshme për Maqedoninë e Veriut, duke llogaritur situatën ku gjendet.

Ndryshe, në kuadër të procesit të rebalancit, planifikohet debati për 58 amendamente të bëhet brenda gjashtë ditëve, ndërsa në ditën e dhjetë do të votohet rebalanci në Komision. Në rebalanc përfshihen të ardhurat në vlerë prej 318,2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet 362,8 miliardë denarë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik ka miratuar ndryshimet e propozuara në Buxhetin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.