Thirrje e hapur për Hakatonin për Zgjidhje të Gjelbra në Tetovë, këto janë shpërblimet

Është hapur thirrja për Hakatonin për Zgjidhje të Gjelbra në të cilin mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, studentët si dhe themeluesit apo të punësuarit në start-upe. Hakatoni do të mbahet në datat 15-16 shtator në Tetovë ndërsa për ekipet më të mira ofrohen mundësi të shumta si mundësia për të marrë një investim prej 40 mijë euro, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i hakatonit është t’u mundësojë të rinjve të fitojnë aftësi të reja përmes sesioneve dhe punëtorive mentoruese dhe të shkëmbejnë përvoja në fushën e zgjidhjeve të qëndrueshme, inovative dhe të gjelbërta të biznesit.

Përveç kësaj, hakatoni do të ofrojë mundësi për të rinjtë që të marrin fonde për realizimin e “idesë së tyre të gjelbër”.

Idetë e gjelbra të renditura më të larta do t’u jepet mundësia të konkurrojnë për një nga këto shpërblime.

  • Ekipi i vendit të parë do të marrë shpërblim prej 30.000 denarë.
  • 3 skuadrat e renditura më mirë do të marrin pjesë në takimin e ardhshëm të Investimeve për zgjidhjet e gjelbra me financues potencialë në vend dhe rajon të organizuar nga GIZ.
  • Ekipet e renditura më lartë do të kenë mundësinë të marrin pjesë në trajnime të specializuara për: Operacione të qëndrueshme korporative dhe Zhvillimin e një biznes plani të organizuar në bashkëpunim me ProCredit Bank.
  • Ekipet e renditura më lartë do të ftohen në Master Class – From Idea to Startup dhe Workshop on Idea Screening me themeluesen e Networker, Sanja Mitrovska.
  • Ekipet e renditura më mirë do të ftohen të marrin pjesë në thirrjen 700 Accelerator dhe do të kenë mundësi të marrin një investim deri në 40,000 €.
  • Nxënësit e shkollave të mesme që do të marrin pjesë në hakaton do të ftohen të marrin pjesë aktive në punëtorinë e specializuar arsimore mbi modelet e biznesit të gjelbër të organizuar nga Instituti Alternativa Liberale (LAI).

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë KËTU.

Hakatoni organizohet nga SEEUTechPark dhe Instituti Alternativa Liberale (LAI) me mbështetjen e GIZ, SENECA Green, dhe aktivitetit të USAID-it rinia aktivisht krijon mundësi.