KE-ja miratoi Pakon e zgjerimit, priten raportet e progresit të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera kandidate
Sot, më 30 tetor 2024, nga Kolegji i Komisionerëve u miratua Paketa e Zgjerimit 2024 e Komisionit Evropian. Pas mbledhjes së Kolegjit, Pakoja e Zgjerimit do të prezantohet nga Josep Borrell dhe komisioneri Oliver Varhelyi në një konferencë për shtyp që do të mbahet në Bruksel në orën 15:00, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë ditës, ambasadori i BE-së Mihalis Rokas do t’i dorëzojë kopje të Raportit të vendit për vitin 2024 për Maqedoninë e Veriut presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa nesër do t’idorëzojë kopje kryetares së Gjykatës Supreme Besa Ademi”, njoftuan nga Delegacioni i BE-së.
Konferencë për shtyp për prezantimin e Raportit për Maqedoninë e Veriut për vitin 2024 do të mbahet nga ambasadori i BE-së Rokas dhe ministri për Çështje Evropiane Murtezani të premten në ndërtesën e Qeverisë. Informacione më të hollësishme për konferencën për shtyp do të pasojnë nesër.
Në periudhën e ardhshme, pakoja do të prezantohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, si dhe para organizatave të shoqërisë civile.
Çdo vit, Komisioni Evropian miraton dhe paraqet një “Pakon të Zgjerimit”, e cila përfshin një sërë dokumentesh që shpjegojnë politikën e zgjerimit të BE-së dhe rishikojnë zhvillimet gjatë vitit të kaluar. Pakoja analizon progresin e bërë nga vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për anëtarësim në BE, sfidat me të cilat përballen dhe reformat që duhet të zbatojnë.
Përveç dokumentit kryesor, Pakoja përmban gjithashtu raporte të detajuara të veçanta për ecurinë e reformave në secilin vend kandidat dhe kandidat potencial, si dhe rekomandime dhe udhëzime për prioritetet e reformës.
Në seksionin për vendin, pritet të shprehet përkrahja për perspektivën e saj evropiane dhe të përsëritet qëndrimi i shprehur në konkluzionet e Samitit të BE-së se “Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut sapo të zbatojë angazhimin e saj për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese në përputhje me procedurat e saj të brendshme, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të datës 18 korrik 2022”.
Në fushën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pritet të theksohet nevoja e respektimit të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë me Bullgarinë.
Në pjesën kryesore të Pakos, KE do të riafirmojë angazhimin e saj për zgjerimin si një “investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet” në kushtet e realitetit të ri gjeopolitik dhe do t’u sugjerojë vendeve që aspirojnë anëtarësimin të përfitojnë sa më shumë nga dinamika e re në proces.
Gjithashtu pritet të përsëritet qëndrimi se zgjerimi është një proces i bazuar në merita dhe arritjen e rezultateve dhe reformave konkrete, si dhe përkushtimin për të mbështetur vendet aspirante në përmbushjen e kritereve për anëtarësim përmes instrumenteve të duhura, përfshirë Planin e Rritjes Ballkanit Perëndimor, dhe për avancimin e parimit të integrimit gradual të tyre edhe para anëtarësimit të plotë. Ndër përpjekjet kryesore të reformës, ato që lidhen me sundimin e ligjit, integrimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, pajtimin dhe zgjidhjen dypalëshe të mosmarrëveshjeve ka të ngjarë të theksohen.
Përveç vendit, Pakoja do të përmbajë edhe raporte për progresin e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Moldavisë, Serbisë, Turqisë, Ukrainës dhe Malit të Zi.
Kujtojmë se raporti i vitit 2023 nga Komisioni Evropian u publikua më 8 nëntor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut u vlerësua pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal u tha se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhej tekstualisht në raportin e vitit të kaluar.