Maqedonia e Veriut ende pa konsensus për vetingun si pjesë e reformës në gjyqësor
Vetingu apo kontrolli i një personi të caktuar para marrjes së një detyre të re është një ide që mbeti vetëm si e tillë, sepse për vite me radhë po paralajmërohet, por që assesi të fillojë të zbatohet. Pavarësisht se aktorët politikë në vend vazhdimisht thonë se do të bëjnë përpjekje serioze për ta rritur besimin e ulët të qytetarëve te gjyqësori, për momentin konsensusi kombëtar rreth kësaj çështjeje nuk është prioritet, shkruan Pina, transmeton Portalb.mk.
Vetingu si një mekanizëm që e vlerëson përgjegjësinë individuale, integritetin e një individi dhe përfshirjen e tij në keqpërdorime në të kaluarën ka qenë opsioni më i përfolur për luftimin e korrupsionit në vend. Disa herë madje u ndërmorën edhe disa hapa, por asnjëri prej tyre nuk u çua deri në fund. Nga të gjitha premtimet rezultoi vetëm miratimi i Strategjisë për reformën në gjyqësor në periudhën nga 2017-2022.
Ndërkohë, besimi i qytetarëve te puna e gjykatësve dhe prokurorëve vazhdon të jetë në një nivel historikisht të ulët prej dy përqind. Por mbetet edhe dilema për atë nëse shteti është i përgatitur dhe ka kapacitete për ta zbatuar vetingun?!
Kryeministri aktual Hristijan Mickoski e filloi mandatin me premtime të mëdha për reforma në gjyqësor. Por ai propozon vetëm shpërbërjen e organeve më të rëndësishme si Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.
“Nëse nuk keni shtet ligjor, sundim të së drejtës, nëse keni një nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit, ky është një problem i sigurisë. Këtë e kanë thënë njerëz shumë më me përvojë se unë. Ne si qeveri kemi një detyrë themelore që ta mbrojmë shtetin dhe qytetarët nëse shfaqet ndonjë problem i sigurisë. Për ne mossundimi i shtetit ligjor, krimi, perceptimi për korrupsionin dhe elitat janë një problem sigurie për vendin tonë dhe ne si Qeveri duhet të reagojmë. Gjatë kësaj periudhe ne do të mbledhim sugjerime dhe ide dhe pastaj do të dalim para publikut. Ne jemi për shpërbërjen e institucioneve si Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe Këshilli Gjyqësor. Nuk presim rezultate të shpejta, por presim përparim me të cilin do ta parandalojmë këtë problem të sigurisë”, tha Mickoski pas takimit me kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Megjithatë, procesi i vetingut duhet të marrë ende konsensus nga të gjitha partitë politike, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
“E gjithë procedura duhet të bëhet nëpërmjet Kuvendit ashtu siç është kërkuar nga të gjitha partitë politike, ndërsa Ministria e Drejtësisë do të kontribuojë me të gjitha kapacitetet me të cilat disponon. Ky proces duhet të marrë pëlqimin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Në atë mënyrë do të kemi garanci dhe kredibilitet për zbatimin e tij, që të mos e ketë fatin e njëjtë si PSP-ja dhe si procesi i lustracionit”, thonë nga atje, transmeton Portalb.mk.
Nga ana tjetër, nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë, e cila gjithashtu është pjesë e grupit të Projektit për reformat në gjyqësor, janë të mendimit se vetingu rekomandohet të përdoret bashkë me reforma të tjera institucionale që të mund të sigurojë efektivitet, por nuk duhet të përdoret si një masë e izoluar, por edhe rekomandohet që të shoqërohet edhe me reforma të tjera institucionale që të garantojë efektivitet.
“Çështja e vetingut ka qenë aktuale vitet e fundit duke marrë parasysh zhvillimet në gjyqësor dhe besimin relativisht të ulët të qytetarëve në të. Në këtë kuptim shteti tashmë e ka hedhur hapin e parë me miratimin e Strategjisë për reformat në gjyqësor 2017-2022. Në Strategji janë paraparë ndryshime ligjore lidhur me kompetencat e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, të cilët përzgjedhjen dhe avancimin në punë duhet ta kryejnë sipas një sistemi transparent dhe objektiv të kritereve të meritës, kritereve të matshme për përcaktimin e përgjegjësisë, shkarkim vetëm për shkelje më të rënda dhe të vazhdueshme disiplinore etj. Angazhimi për përmirësimin e gjendjes vazhdon edhe në Strategjinë e re zhvillimore sektoriale për gjyqësorin 2024-2028, ku theks i veçantë vihet tek pavarësia, paanshmëria dhe përgjegjësia e gjyqësorit në fushën e parë strategjike prioritare”, thuhet në deklaratën e SHJRM-së.
Nga SHJRM-ja shtojnë edhe se në rastin e zbatimit të vetingut, duke marrë parasysh problemet me të cilat përballet gjyqësori, vendi jonë ka dy mundësi. E para është rizgjedhja e përgjithshme e gjykatësve dhe prokurorëve publikë.
“Kjo mund të realizohet vetëm me ndryshim të Kushtetutës së RMV-së, por është e pakëshillueshme sepse shteti nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore në gjyqësor. Përmes kësaj mundësie rreziku që mund të shfaqet është bllokimi i të gjithë sistemit gjyqësor në dëm të qytetarëve, sepse nuk do të kenë mundësi gjykimi brenda një afati të arsyeshëm përderisa zgjat i gjithë procesi”, thonë nga shoqata.
Opsioni i dytë, sipas tyre, është rivlerësimi i gjykatësve, i cili mund të realizohet në dy mënyra.
“Përmes Këshillit Gjyqësor të RMV-së ose nga një organ që do të përbëhet vetëm nga gjykatës dhe prokurorë publikë të shkallëve të ndryshme, por me supozimin se përbërja e Këshillit Gjyqësor e ka kredibilitetin dhe integritetin për të zhvilluar procese të tilla komplekse. Nëpërmjet një organi të ri të përzier në të cilin do të kishte përfaqësues nga gjykatësit dhe prokurorët publik, Kuvendi i RMV-së, Ministria e Drejtësisë, Oda e Avokatëve dhe sektori civil i përfshirë në segmentin e gjyqësisë”, shtojnë nga atje.
Megjithatë, për bashkësinë ndërkombëtare vetingu duhet të jetë mjeti i fundit për reformimin e gjyqësorit dhe i bëjnë thirrje vendit t’u përmbahet rekomandimeve të ekspertëve të huaj.
Qëndrimi i delegacionit evropian në Shkup është se vetingu duhet të merret parasysh vetëm pasi të jenë ezauruar mjetet dhe mekanizmat ekzistues, siç është thënë qartë nga Komisioni i Venecias. Në praktikë kjo nënkupton zbatimin e plotë të politikave dhe mjeteve të integritetit në të gjitha nivelet në sektorët e përfshirë.
“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të vazhdojnë me punë për ta garantuar respektimin e plotë të parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe rritjen e transparencës, duke garantuar njëkohësisht integritetin e të gjithë funkcionerëve gjyqësorë. Veprime të tilla duhet të bëhen paralelisht me reformat e sinqerta dhe afatgjata të gjyqësorit bazuar në zbatimin sistematik të Strategjisë për zhvillimin e reformës në gjyqësor 2024-2028 të miratuar në dhjetor të vitit 2023. Pastaj, Këshilli për Gjyqësorin tashmë i ka zbatuar rekomandimet e Misionit Shqyrtues të Këshillit Gjyqësor të nxjerra në dhjetor të vitit 2023 në përputhje me planin e veprimit të miratuar në mars”, thonë nga delegacioni evropian.
Ata sqarojnë se në të kaluarën BE-ja nuk ka bërë thirrje për një inspektim të përgjithshëm të gjykatësve dhe prokurorëve në Maqedoninë e Veriut dhe e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për avancimin e reformave dhe arritjen e rezultateve, transmeton Portalb.mk. Ata u bëjnë thirrje edhe autoriteteve kombëtare në të gjitha nivelet dhe institucionet që t’i përforcojnë përpjekjet për të siguruar një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm, profesional dhe efikas.
Gjithashtu, Komisioni i Venecias konstaton se procesi i rizgjedhjes është i pranueshëm vetëm nëse ka garanci të mjaftueshme për drejtshmërinë e tij, pra që vetë procedura të bazohet në kritere të qarta dhe transparente.
Në vendet fqinje vetingu nuk është diçka e re, por me rezultate të shkëlqyera
Sistemi gjyqësor ka mangësi pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, kështu që para se të aktualizohet në vendin tonë, vendet e tjera tashmë kishin kaluar procesin e vetingut.
Bosnja dhe Hercegovina zbatoi veting në periudhën nga 2002-2004, i cili kishte për qëllim të sigurojë gjykatës dhe prokurorë profesionistë dhe të kualifikuar, por edhe ristrukturimin e sistemit gjyqësor.
Ky proces rezultoi në mbylljen e më shumë se 30 përqind të gjykatave të shkallës së parë dhe e reduktoi numrin e gjykatësve dhe prokurorëve të nevojshëm në bazë të fluksit të çështjeve me rreth 30 përqind. Rizgjedhja në gjyqësor rezultoi me sigurimin e përfaqësimit etnik dhe ristrukturimin e gjykatave, por edhe me rritjen e besimit të qytetarëve në gjyqësor nga 60 deri në 70 përqind.
Megjithatë, Ligji për rizgjedhje në Bosnje, mbi të cilin bazohej vetingu, konsiderohet si i pasuksesshëm. Ekspertët thonë se këto përpjekje të hershme për verifikimin e gjyqësorit dështuan për shkak të mungesës së punonjësve të kualifikuar, burimeve adekuate dhe kohës së mjaftueshme për të kryer një proces që i kërkon të gjitha këto dhe atë në një shkallë masive. Kështu që, edhe krahas procesit të gjatë dhe të ndërlikuar të rizgjedhjes dhe ristrukturimit të gjyqësorit, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka ndërtuar ende një sistem gjyqësor të fortë dhe efikas dhe ende po lufton me korrupsionin dhe përparimin e ngadaltë të reformave.
Megjithatë, në rajon ka edhe shembuj ku vetingu ka marrë një vlerësim pozitiv nga BE-ja, siç është rasti me Shqipërinë. Vetingu në vend nisi në korrik të vitit 2016 me Ligjin për Rivaluimin, përmes të cilit kontrolli përfshinte tre aspekte të vlerësimit: aftësinë profesionale, kontrollin e gjendjes pasurore (të të gjithë personave që i nënshtrohen procesit, si dhe të të afërmve të tyre dhe atë për pronat e fituara brenda dhe jashtë vendit), dhe kontrollin e të kaluarës (përfshirjen në korrupsion dhe funkcionerë politikë) për të cilët vendoste Komision i pavarur i kualifikimit.
Menjëherë pas fillimit të kontrollit në Shqipëri një numër i madh gjykatësish, prokurorësh dhe nëpunës gjykatash nuk pranuan ta deklaronin për inspektim pasurinë dhe trashëgiminë e tyre. Disa u tërhoqën nga funksioni për shkak të ndryshimeve të supozuara në karrierë ose arsyeve shëndetësore. Gjatë procesit ishte i pranishëm edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e përbërë nga një ekip ekspertësh të lartë ligjorë nga vendet e BE-së dhe SHBA-së, të cilët mbikëqyrnin procesin e verifikimit, prania e të cilëve u vlerësua si pozitive sepse dha garanci shtesë në përforcimin e besimin në reformat në drejtësi, duke pasur parasysh kompetencën e tij për të dhënë rekomandime për personat që duhet të punojnë në organin e inspektimit dhe në Këshillin për ankesa. Komuniteti ndërkombëtar e vlerësoi këtë proces si transformues nga aspekti i zbatimit të reformave në gjyqësor.
Në vendin tonë shembulli i gjykatësit suprem Naqe Georgiev dhe anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ixhet Memeti, të cilët e pranuan fajësinë për marrje ryshfeti dhe pastaj u dënuan, është një hap para sepse në të kaluarën edhe pse ka pasur dyshime se edhe ata që duhet të vënë drejtësi janë të përfshirë në korrupsion, ishin të paprekshëm dhe për ta ligji nuk vlente njësoj si për qytetarët e tjerë.