Malishevë, u zbulua busti i “Bilbilit të këngës shqipe”, Nexhmije Pagarusha në fshatin e saj të lindjes

Autoritet komunale të Malishevës në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë sot e përuruan bustin e “Bilbilit të këngës shqipe”,  Nexhmije Pagarushës, njofton Portalb.mk

Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi e marrë nga faqja e skulptorit
Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi e marrë nga faqja e skulptorit, Agon Qosa

“Skulptura e Nexhmije Pagarushës më ka marrë rreth dy muaj kohë gjithsej prej fillimit të analizës, përzgjedhjes së idesë e deri te bronzimi e patinimi” thotë për Portalb.mk skulptori Agon Qosa.

Ajo duket sikur këndon edhe në bronzë, pasi është paraqitur me ngjyra dhe me mikrofon në dorë.

Me ceremoni madhështore, folës e program të pasur rrodhi e gjithë ngjarja e  përurimit të bustit të “Mbretëreshës së muzikës shqiptare”, Nexhmije Pagarushës në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës, ose siç i ka dhe epitetet “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëreshë e këngës shqipe”, apo “Primadonë e melosit popullor shqiptar” etj.

Në hapje, kryetari i komunës, Ekrem Kastrati falënderoi personalitetet me rëndësi të pranishëm në këtë ngjarje dhe sidomos banorët e zonës që kishin kontribuar në ndërtimin e parkut dhe bustit.

“Iniciator për ndërtimin e këtij busti, ishte ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi, ndërsa donator kryesor ishte mërgimtari Enver Kryeziu, për të vazhduar me përkrahjen e pakursyer të mërgatës sonë, të komunës dhe në fund për t’u punuar ky bust nga duart e skulptorit Agon Qosa”, tha kryetari Kastrati.

Në hapjen e përurimit ku të pranishëm kishte intelektualë e politikanë, mes tyre dhe doajeni i gazetarisë Shaqir Foniqi, i cili e kishte njohur shumë herët këngëtaren dhe e cilëson fat faktin që i është dhënë leja të përgatis dhe monografinë për të.

Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi e marrë nga faqja e skulptorit
Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi e marrë nga faqja e skulptorit, Agon Qosa

Shaqir Foniqi, lidhur me bustin shprehet:

“PAGARUSHA, ‘PËRJETËSON’ PAGARUSHËN!

Fshati Pagarushë i Malishevës duhet të jetë me fat që nga gjiri i saj, ka dalë  fenomeni i rrallë,’ Bilbili i këngës së bukur shqipe’, Nexhmije Pagarusha!

Diva, Nexhmija ka mundur tandryshojë emrin e mbiemrin, ka mundur ta ndërrojë atdheun, të ndryshojë shumëçka, por jo. Ajo tha: ‘Sikur Pagarusha nuk ka vend në botë dhe këtu dua ta kem edhe një varr, afër babait dhe nënës së saj, që e brumosën me ndjenjën e atdhedashurisë!

Por, bashkëfshatarët e mirë e krenar, përveç që ia ‘dhuruan ‘tokën e varrit, i bënë edhe nderimin e madh, duke ia ‘murosur’ famën planetare edhe në bronz.

Athua, si do të ndjehej Nexhi, po ta dinte për këtë nderim sublim. Me siguri do të emocionohej fort nga gëzimi.

(Ajo ishte modeste, por Pagarushën e kishte adhurim dhe fliste për te me shumë admirim)!

Gazetari dhe monografi i Nexhmije Pagarushës Shaqir Foniqi
Gazetari dhe monografi i Nexhmije Pagarushës, Shaqir Foniqi

Ju lumtë pagarushas, për nderin që i bëtë bijës suaj artiste, e cila tashmë i takon tërë botës së madhe artistike! Një shtatore e tillë duhet t’i ngritet edhe në Prishtinë!

Ajo, sot mori duartrokitjet më të ëmbla nga fshatarët e saj të dashur e krenarë!

Prej sot Pagarusha ,jeton me famën e saj, të skalitur në bronz!

Për Nexhmije Pagarushën do të flasin shekujt!

PS.Nga këtu e kam një propozim.Opera e Kosovës, ta mbajë emrin e saj të madh, pa asnjë hezitim!

Po ashtu, hedh idenë që të themelohet një çmim mbarëkombëtar, me emrin e saj!”

 

Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi nga faqja e skulptorit
Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi nga faqja e skulptorit, Agon Qosa

Të dhënat e bustit:

Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi nga faqja e skulptorit
Busti i Nexhmije Pagarushës, fotografi nga faqja e skulptorit, Agon Qosa

Bilbili i këngës shqipe “Nexhmije Pagarusha”

Autor: Ateleja e Skulptures Monumentale Agon Qosa

Materiali: Bronz

Patina: e kombinuar

Dimenzioni: 150cm

Vendqëndrimi: Sheshi Nexhmije Pagarusha në Pagarushë – Malishevë