Mali i Zi i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE, vlerësoi Borrell
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë të martën në Bruksel se Mali i Zi është shteti më i avancuar kandidat në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe është i pari në radhë për t’u anëtarësuar në BE, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ai këtë e tha duke folur në Bruksel para gazetarëve së bashku me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë në selinë e BE-së prej kur është zgjedhur në postin e presidentit të këtij shteti.
Borrell ka falënderuar Malin e Zi për përshtatje me qëndrimet e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë. Ai ka thënë se ka forca të cilave nuk i pëlqen kjo politikë e Malit të Zi dhe dëshirojnë ta destabilizojnë atë.
Prandaj, tha Borrell, BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Malin e Zi të përballet me këto sfida.
“Jetojmë në jetën e agresionit rus në Ukrainë dhe në këtë situatë është e domosdoshme të ruajmë orientimin strategjik të Malit të Zi për integrim në BE“, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se Mali i Zi duhet të punojë në reforma dhe të forcojë sundimin e ligjit dhe këtë ta bëjë jo për ta kënaqur BE-në por për nevoja të qytetarëve të sajë.
Presidenti Millatoviq ka shprehur po ashtu bindjen se Mali i Zi do të jetë shteti i ardhshëm anëtar i BE-së dhe se procesi i anëtarësimit do të përshpejtohet tash pasi është krijuar edhe një mbështetje më e madhe për këtë proces edhe në BE.
Ai, bashkë me përfaqësuesin e lartë Borrell e kanë përmendur faktin se vizita e parë e presidentit të ri bëhet në Bruksel si dëshmi se ky shtet e ka prioritet integrimin në Bashkimin Evropian dhe orientimin pro-perendimor.