“Makinë për udhëtim në kohë” në Shuto Orizare, kanë miratuar legalizimin e objekteve pa leje ndërtimi që nuk kanë ekzistuar kur është dorëzuar kërkesa për legalizim
Në Komunën Shuto Orizare kanë legalizuar objekte pa leje ndërtimi që janë ndërtuar vetëm disa vite më parë, edhe pse ligji përcakton qartë se kjo lejohet vetëm për ndërtesat paleje të ndërtuara para muajit mars të vitit 2011. Kulmi i absurditetit është se komuna i ka regjistruar kërkesat për legalizim në data kur, sipas imazheve satelitore të disponueshme publikisht, në parcelat konkrete mund të shihen fusha bosh. Vendimet janë nënshkruar si nga ish-kryetari i komunës Elvis Bajram ashtu edhe nga kryetari aktual Kurto Dudush. Nga Komuna thonë se nuk i hedhin poshtë pretendimet, por se nuk kanë mënyrë për të kontrolluar se kur është ndërtuar një objekt i caktuar, kështu që duhet të mbështeten në deklaratën e dhënë nga parashtruesi i kërkesës tek një noter. Nga atje theksojnë edhe se imazhet satelitore nga Google Earth nuk janë prova të pranueshme në procedurat administrative. Ata thirren në Mendimin e Qeverisë nga data 16 shkurt i vitit 2021, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Shuto Orizare është shumë më tepër sesa rruga me tregun dhe burgu. Ky vendbanim, si shumë vende të tjera urbane, vazhdimisht është duke u zhvilluar. Një mënyrë për të ndërtuar është e vetmja mënyrë ligjore – duke siguruar një leje për ndërtim. Mundësia tjetër është të ndërtohet pa leje dhe pastaj ajo që është ndërtuar të legalizohet. Këtë gjë e mundësoi Ligji për Ndërtimet pa Leje, sipas të cilit – çdo gjë e ndërtuar pas muajit mars të vitit 2011 mund të legalizohet, nëse dorëzohet kërkesë deri më 31 dhjetor të vitit 2018. Kjo do të thotë se çdo gjë e ndërtuar pas muajit mars të vitit 2011 e që është ndërtim pa leje nuk ka mundësi të legalizohet. Por në Shuto Orizare u zbulua se ka edhe një mënyrë e tretë për ta legalizuar paligjshmërinë.
Pas zërave që qarkullojnë, 360 Gradë mori informacion dhe më pas kontrolloi një sërë objektesh të llojeve të ndryshme që ishin legalizuar sikur të ishin ndërtuar deri në vitin 2011. Faktet që u konstatuan përmes dokumenteve nga Kadastra dhe imazheve historike satelitore të disponueshme publikisht nga Google treguan se objketet nuk është dashur të legalizoheshin në asnjë mënyrë sepse ato janë ndërtuar shumë kohë pas muajit mars të vitit 2011 – afati deri në të cilin duhej të ishte ndërtuar një objekt pa leje që i njëjti të mund të legalizohet.
Në vendin ku tani ndodhet një kompleks shtëpish, i vendosur në rrugën midis Shuto Orizares dhe Vizbegut, në vitin 2011 ka pasur një livadh. Parcela ka qenë bosh edhe në vitin pasardhës dhe vitin pas tij. Objektet e para shfaqen në vitin 2014. Shtëpitë tipike që dominojnë sot fillojnë të shihen gradualisht në imazhet satelitore nga muaji tetor i vitit 2018. Deri në muajin dhjetor të të njëjtit vit, kur përfundoi afati për dorëzimin e kërkesave për legalizim, në terren kishte dy shtëpi në fazën karabina dhe një në ndërtim e sipër. Objektet e tjera do ta mbushin parcelën gjatë vitit 2021. Por, sipas datave të dokumenteve nga Kadastra kërkesat për legalizim janë dorëzuar para se të ndërtoheshin objektet. Për shembull, kërkesa për legalizim të objekteve 8, 9 dhe 10 është dorëzuar më 24.12.2018. Dhe në atë moment, siç treguam, njëra prej tyre ishte vetëm me themele. Shtëpitë që u shfaqën më vonë u legalizuan me kërkesa që, sipas logjikës, u dorëzuan para se të fillonin të ndërtoheshin.
Shtëpi janë legalizuar edhe në një lokacion tjetër në afërsi të Hotelit “Bon-Bon”. Atje, në vitin 2011 nuk kanë ekzistuar të dy objektet. Sipas imazheve satelitore ato shfaqen shumë më vonë – në vitin 2018. Por, sipas dokumenteve që Komuna i ka dorëzuar në Kadastër del se kërkesat për legalizim janë dorëzuar shtatë vjet para ndërtimit të tyre – në gusht dhe shtator të vitit 2011. Për më tepër, njërin vendim për legalizim e ka nënshkruar kryetari i mëparshëm i komunës, Elvis Bajram, në vitin 2017, ndërsa tjetrin pasardhësi i tij Kurto Dudush, në vitin 2022. Për të dy legalizimet thuhet se janë bashkëngjitur fatura nga EVN, si dhe deklarata noteriale nga parashtruesit e kërkesës – se ndërtesat janë ndërtuar para muajit mars të vitit 2011.
E njëjta histori është edhe me objektin tjetër. Në vitin 2011 parcela ka qenë bosh. Bosh ka qenë edhe në muajin dhjetor të vitit 2018. Objekti shfaqet për herë të parë në imazhet satelitore të muajit gusht të vitit 2019. Por, në dokumente thuhet se kërkesa për legalizim është dorëzuar më 30 mars të vitit 2016. Të bashkëngjitur me kërkesën ka pasur një deklaratë të noterizuar nga parashtruesi i kërkesës për legalizim me datë 10 mars të vitit 2016, madje edhe dëshmi – një faturë nga EVN Maqedonia, edhe pse, ju rikujtojmë që ky lokacion në vitin 2011 ka qenë bosh. Por, kryetari i komunës Shuto Orizare, Kurto Dudush, në fund të vitit 2019 e ka legalizuar shtëpinë sikur të ishte ndërtuar brenda afatit ligjor.
Në të njëjtën mënyrë u ndërtua dhe u legalizua edhe një bazë betoni. Në vitin 2011 ajo ka qenë një fushë bosh, njësoj si edhe në vitin 2016. S diçka do të ndërtohet tregon pastrimi i terrenit në vitin 2021. Baza e betoni shfaqet në muajin mars të vitit 2025. Por, kërkesa për legalizim është evidentuar në një datë në muajin mars të vitit 2016. Vendimi i legalizimit është nga muaji shkurt i vitit 2023, ndërsa edhe në këtë shembull është bashkëngjitur një faturë nga EVN, si dhe një deklaratë noteriale.
Në afërsi të bazës së betonit ndodhet edhe një ndërtesë shumëkatëshe në të cilën në katin përdhes vumë re një punëtori automekanikësh. Atje, parcela ishte bosh deri në vitin 2016. Objekti shfaqet në muajin janar të vitit 2017. Por, në kërkesën për legalizim figuron një datë nga muaji gusht i vitit 2011, ndërsa vendimi për legalizim i nënshkruar nga Elvis Bajram është nga muaji prill i vitit 2017.
U has edhe një ndërtesë tjetër që dukej si një punëtori automekanikësh. Imazhet satelitore të Google të marra në gusht të vitit 2011, pesë muaj pas afatit ligjor deri kur një ndërtesë duhej të ekzistonte që të mund të dorëzohej kërkesë për legalizim, tregojnë se kjo parcelë ka qenë e mbushur me automjete të vjetra. Në vitin 2014 parcela në fjalë është e pastër, ndërsa në dy vitet në vijim përsëri është mbushur me automjete. Objekti më i vogël u shfaq në muajin gusht të vitit 2016, ndërsa ai më i madhi po në gusht por në vitin 2019. Për të dyja objektet thuhet se kërkesa është dorëzuar në muajin janar të vitit 2016, ndërsa vendimi për legalizimit është i shtatorit të vitit 2023.
Në vitin 2011 bosh ka qenë edhe një parcelë e destinuar për depo për skrap hekuri. Në atë vend objekt mbin në muajin nëntor të vitit 2021. Por, edhe pse nuk ka pasur objekt të ndërtuar në kërkesën për legalizim figuron një datë nga muaji korrik i vitit 2018, ndërsa është legalizuar më 30 shtator të vitit 2021 – para se të përfundonte në të vërtetë ndërtimi i objektit.
Por, ky objekt duket sikur nuk është ndërtuar fare. Në vitin 2011 parcela ka qenë bosh. Parcela është rrethuar në vitin 2017, ndërsa në vjeshtën e të njëjtit vit ka filluar të ndërtohej objekti. Kërkesa për legalizim daton që nga viti 2018, ndërsa procedura, e shoqëruar me një faturë nga EVN dhe një deklaratë noteriale, ka përfunduar në prill të vitit 2024.
Gjetjet u konfirmuan duke i krahasuar imazhet satelitore me të dhënat nga Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Patundshme, pasi redaksia kërkoi informacion dhe shqyrtim historik të regjistrimeve ekzekutive të parcelave të përmendura më parë.
Pastaj, në Komunën Shuto Orizare, u kërkua intervistë me kryetarin aktual të komunës ose përgjigje me shkrim për atë se si u legalizuan objektet e ndërtuara pas afatit të përcaktuar me ligj, pra pas muajit marsi të vitit 2011. Dhe, si është e mundur që ata kanë miratuar legalizime të objekteve që as nuk kanë qenë në fazë ndërtimi kur është parashtruar kërkesë për legalizimin e tyre?
“Ligji për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara Pa Leje… përcakton shprehimisht se parashtruesi i kërkesës është i detyruar të dorëzojë një deklaratë të vërtetuar nga noteri, të dhënë nën përgjegjësi penale dhe materiale, me të cilën konfirmohet se objekti i ndërtuar pa leje është ndërtuar para hyrjes në fuqi të Ligjit, pra para datës 3 mars të vitit 2011… Ky formulim do të thotë se ligjvënësi me vetëdije ia ka lënë përgjegjësinë për vërtetësinë e fakteve ekskluzivisht parashtruesit të kërkesës… Në pajtim me parimin e ligjshmërisë dhe besimit në dokumente, Komuna është e detyruar t’i vlerësojë këto deklarata si prova të rregullta dhe të besueshme, me ç’rast nuk ka bazë ligjore për të analizuar bazën e tyre faktike, as për ta shqyrtuar saktësinë e pretendimeve të përmbajtura në to, përveç në rastin e ekzistencës së indikacioneve të qarta dhe të verifikueshme për të kundërtën”, thonë nga Komuna e Shuto Orizares.
Nga atje shtojnë edhe se legalizimi është procedurë komplekse dhe se vendimet mund të sillen edhe shumë më vonë pak kohës së dorëzimit të kërkesës. Theksojnë edhe se imazhet satelitore nga platforma komerciale në internet nuk janë prova që lejohen në procedurat administrative. Ata thirren në Mendimin e Qeverisë nga data 16 shkurt të vitit 2021.
“Komuna e Shuto Orizares nuk i hedh poshtë pretendimet tuaja. Përkundrazi – ne i konsiderojmë ato si informacione të dobishme që mund të tregojnë për abuzime të mundshme nga individë. Megjithatë, si organ publik, ne jemi të detyruar të veprojmë ekskluzivisht brenda kornizës së autorizimeve ligjore dhe në përputhje me provat e parapara me ligj. Qeveria në vitin 2021 e bëri të qartë se Google Earth nuk është provë në këto procedura dhe se përdorimi i një shërbimi të tillë çon në zbatim të pabarabartë të ligjit. Komuna e Shuto Orizares e respekton këtë qëndrim dhe e zbaton atë në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që mund të bëjmë dhe ajo që premtojmë publikisht është si vijon: nëse inspektimet kompetente ose prokuroria konstatojnë se është marrë një vendim për një objekt bazuar në dokumentacion të rremë, Komuna do të veprojë menjëherë në përputhje me nenin 124 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe do ta shpallë atë vendim të pavlefshëm”, thonë nga Komuna e Shuto Orizares.
Ligji për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara Pa Leje u publikua në Gazetën Zyrtare më 24 shkurt të vitit 2011. Ai hyri në fuqi tetë ditë më vonë.
Neni 2, paragrafi 2, thotë qartë se legalizimi është i mundur vetëm për objektet e ndërtuara deri në atë moment:
Subjekt i këtij ligji janë objektet e paligjshme të përmendura në paragrafin (1) të këtij neni, mbi të cilat deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë kryer plotësisht punimet e ndërtimit dhe instalimit dhe ato përbëjnë një njësi ndërtimore dhe funksionale.