“Lukoil” nën presion – goditja e re e BE-së dhe SHBA-së po e riformëson energjetikën në rajon
Gjiganti rus i naftës “Lukoil”, një nga kompanitë private më të fuqishme energjetike në Rusi, po përballet me presion të shtuar nga Perëndimi, paketat e reja të sanksioneve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian tashmë po e godasin rrjetin e tij global, dhe efektet po shihen qartë në Irak, në Ballkan dhe më gjerë, shkruan “Vërtetmatësi”, transmeton Portalb.mk.
Në tetor – nëntor 2025, SHBA-ja dhe BE-ja ashpërsuan ndjeshëm regjimin e sanksioneve ndaj kompanive energjetike ruse, përfshirë “Rosneft” dhe, në mënyrë domethënëse, segmente të grupit “Lukoil”. Këto masa kufizojnë kanalet bankare dhe të sigurimit, ngrijnë asetet dhe krijojnë pengesa praktike për pagesat dhe tregtinë, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetet operacionale të kompanive jashtë Rusisë (p.sh. në Irak dhe në Ballkan).
Pasqyrohen më poshtë masat e reja, efektet e tyre praktike dhe shembujt konkretë sipas vendeve.
Sanksionet amerikane dhe evropiane
Departamenti i Thesarit i SHBA-së (OFAC) publikoi listën e degëve të “Rosneft” dhe “Lukoil” që i nënshtrohen masave bllokuese, ngrirje të aseteve dhe ndalim të transaksioneve me persona amerikanë. Qëllimi është të kufizohet përdorimi i sistemeve ndërkombëtare të pagesave, shërbimeve bankare, sigurimit detar për cisternat e naftës dhe të ndalohet kontrabanda përmes të ashtuquajturit “flotë në hije” (“shadow fleet”), çka rrit koston dhe komplikon ndjeshëm logjistikën e tregtisë së naftës.
BE-ja, me paketën e 19-të të sanksioneve, ka zgjeruar kufizimet energjetike (p.sh. për LNG-në) dhe masa të tjera që e komplikojnë operimin e kompanive ruse në Evropë. Në disa raste, autoritetet kombëtare mund të marrin masa të përkohshme administrimi apo konfiskimi të objekteve strategjike.
Iraku – situatë jashtëzakonisht e tensionuar
Për shkak të sanksioneve, “Lukoil” shpalli gjendjen e “forcës madhore” (force majeure) në njërin nga fushat më të mëdha të naftës në botë, “West Qurna-2” në Irak, pasi pagesat dhe logjistika janë bërë praktikisht të pamundura nga ana ligjore e financiare. Kompania shtetërore irakiane SOMO pezulloi dërgesat dhe anuloi porositë derisa të gjendet një mekanizëm i ri pagese. “Lukoil” paralajmëroi se nëse problemi nuk zgjidhet, mund të ndërpresë prodhimin dhe të tërhiqet nga projekti.
Iraku tashmë po kërkon mënyra për të riorganizuar shitjen dhe menaxhimin e të ardhurave për të shmangur pagesat direkte tek entitete të sanksionuara, një zgjidhje që e mban naftën në treg, por që krijon tensione politike dhe ligjore. Sipas Bloomberg, prodhimi vazhdon, por pagesat janë ristrukturuar.
Çfarë po ndodh në Ballkan?
Bullgaria
Bullgaria ka ndërmarrë hapa urgjentë për të mbrojtur sistemin e saj energjetik dhe për t’u harmonizuar me sanksionet amerikane. Autoritetet kanë përgatitur ndryshime ligjore për të lejuar administrim të përkohshëm ose shitje të rafinerisë së Burgasit, në pronësi të “Lukoil”. Qeveria argumenton se kjo është e nevojshme për të ruajtur sigurinë energjetike dhe për të shmangur efektet indirekte të sanksioneve. “Lukoil” kërkon që shitja të bëhet privatisht, por autoritetet po lëvizin drejt administrimit të procesit nga shteti.
Rumania
Edhe Rumania po ndërmerr masa për të vendosur kontroll të plotë mbi degën lokale të “Lukoil”, për të mbrojtur tregun e brendshëm dhe për të respektuar sanksionet. “Lukoil” operon 320 pika karburanti, rafinerinë “Petrotel” (që furnizon rreth 25% të tregut të karburanteve në vend) dhe ka të drejta kërkimi në Detin e Zi. Ministri i energjisë ka deklaruar se Rumania mbështet plotësisht zbatimin e masave amerikane.
Serbia
Serbia ka lidhje të thella me kompanitë ruse përmes NIS (që kontrollohet nga “Gazprom Neft”). Për shkak të sanksioneve në rajon, janë raportuar ndërprerje në furnizimin me naftë të papërpunuar. Parlamentarja Ana Brnabiç njoftoi se në buxhetin 2026 do të parashikohen skenarë në të cilët Serbia mund të detyrohet të marrë kontrollin e NIS-it, por ajo vetë theksoi se nuk mbështet nacionalizimin. Presidenti Vuçiç më herët deklaroi se Rusia ka 50 ditë afat për të gjetur një pronar të ri për NIS-in.
Kroacia
Në Kroaci, mediat raportojnë disa kandidatë të mundshëm për blerjen e aseteve të “Lukoil”: kompania sllovene “Petrol”, gjenerali në pension Ivan Çermak, si dhe mundësia që vetë punonjësit të organizojnë një “blerje nga menaxhmenti”.
Si qëndron situata në Maqedoninë e Veriut
“Lukoil” zotëron një rrjet të konsiderueshëm pikash karburanti në vend dhe punëson staf të shumtë lokal. Pas shpalljes së sanksioneve, institucionet vendore po analizojnë skenarë për sigurimin e stabilitetit të tregut, nga riorganizimi i pronësisë, deri tek masa të mundshme shtetërore nëse kanalizimi financiar ndërkombëtar bllokohet.
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, deklaroi se degës së “Lukoil” në Maqedoni duhet t’i jepet mundësia të vazhdojë aktivitetin duke u furnizuar nga vende të tjera, jo domosdoshmërisht nga rafineritë ruse. Aktualisht kompania ka 40 pika karburanti dhe 10 depo me kapacitet total prej 8,320 m³.
Ai shtoi për “Vërtetmatësin” se edhe nëse pikat e “Lukoil” mbyllen, tregu vendas nuk do të pësojë lëkundje të mëdha, sepse pjesa e tregut që mban kompania është vetëm rreth 7.5%. Sipas tij, “Lukoil” tashmë furnizohet nga furnizues lokalë, jo nga Bullgaria.
Qeveria deklaroi se situata po analizohet në nivel ndërinstitucional dhe se informacione të mëtejshme do të publikohen së shpejti.
Si po reagon “Lukoil”?
Sipas Bislimoskit, kompania po përpiqet të shitet në nivel grupi. Një përpjekje e parë dështoi. Mediat raportojnë gjithashtu se “Lukoil” po kërkon blerës për asetet individuale për të shmangur efektet më të rënda të sanksioneve. OFAC ka lëshuar gjithashtu licenca të përkohshme që lejojnë negociata për ristrukturim ose shitje.
Megjithatë, këto shitje janë të vështira, pasi blerësit potencialë rrezikojnë sanksione dytësore ose pamundësi për të përdorur sistemet bankare. Paralelisht, Rusia po ushtron presion diplomatik ndaj vendeve pritëse (p.sh. Bullgari, Irak) për të gjetur zgjidhje që do t’i lejonin kompanisë të vazhdojë aktivitetin pa shkelur sanksionet.
Kanali i YouTube “Joe Blogs” analizon se shumë nga asetet ndërkombëtare të “Lukoil” janë në rrezik konfiskimi, sidomos në vendet që duan të rishikojnë pronësinë e infrastrukturës energjetike për shkak të kufizimeve bankare dhe të sigurimit. Sipas analizës, kjo nuk është vetëm krizë financiare, por edhe përplasje gjeopolitike.
“Lukoil” ndodhet ndoshta në periudhën më të vështirë të historisë së saj – nën sanksione që nuk i synojnë vetëm aktivitetet tregtare, por të gjithë ekosistemin e transportit dhe bankave, me shitje të aseteve për të ruajtur likuiditetin dhe me rrezik real të humbjes së kontrollit mbi objekte të mëdha si rafineria e Burgasit.
Kompania ka tre rafineri në Evropë dhe aksione në fusha të naftës në Kazakistan, Uzbekistan, Irak, Meksikë, Ganë, Egjipt dhe Nigeri. Ajo operon qindra pika shitjeje të karburantit në mbarë botën, përfshirë edhe në SHBA. Vlera e aseteve të saj ndërkombëtare vlerësohet rreth 22 miliardë dollarë, bazuar në raportimet e bursës për vitin 2024.