LSDM: Qeveria t’i pranojë urgjentisht masat për uljen e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore
Partia opozitare LSDM ka rreaguar pas rritjeve të fundit të çmimeve, që erdhi si pasojë e luftës në Lindjes së Mesme, që i ka paraprijë një standar edhe ashtu i rënduar i jetesës. Nga kjo parti kanë thënë se, qytetarët sot po përballen me një realitet të vështirë, si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore, shtrenjtimit të shportës së konsumatorëve për 2.500 denarë, rënies industrisë me 9,4%, rritjes së borxheve në kurriz të qytetarëve, si dhe borxheve të qytetarëve dhe kompanive ndaj bankave që arrijnë në 9,1 miliardë euro, transmeton Portalb.mk.
Nga LSDM kanë alarmuar se, nëse lufta në Lindjen e Mesme vazhdon, parashikohet rritje e çmimit të naftës deri në 80%, gjë që sipas tyre, do të sjellë një valë të re varfërie, goditje shtesë mbi buxhetet familjare dhe rënie serioze e standardit jetësor.
Prandaj, për LSDM-në është e papranueshme që në kushte të tilla qeveria të mos ndërmarrë masa dhe asnjë hap për mbrojtjen e qytetarëve.
Ato madje, kanë propozuar edhe zgjidhje konkrete dhe ligjërisht të zbatueshme për uljen e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore:
- Ulje e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%
- Ulje e akcizës për 4 denarë për litër
- Heqje e TVSH-së për produktet bazë ushqimore
- Përgjysmim i çmimeve të taksave rrugore
Nga opozita maqedonase kanë thënë se, qeveria duhet t’i pranojë menjëherë këto masa, pasi çdo vonesë do të thotë goditje e re për qytetarët.
Kujtojmë se shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme, e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, ka ndikuar në rritje të ndjeshme të çmimit të naftës në tregjet globale. Kjo ka sjellë rritje të çmimit të karburanteve edhe në RMV. Sipas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator të Energjetikës, më 16 mars, benzina Eurosuper BS-95 është rritur në 86.5 denarë për litër, Eurosuper BS-98 88.5 denarë, ndërsa një litër dizel ka shkuar 92 denarë.