LSDM akuzon se funksionarët e Qeverisë japin deklarata kontradiktore lidhur me cilësinë e ujit në Gostivar, duke krijuar konfuzion dhe pasiguri te qytetarët, shkruan Portalb.mk.
Nga partia opozitare thonë se drejtori i Fondit për Shëndetësi, Sasho Klekovski, ka njoftuar se deri në fund të javës uji në Gostivar pritet të jetë i sigurt për konsum, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se në ujë janë konstatuar “baktere të reja”.
“Sot secili po tregon versionin e vet, ndërsa qytetarët janë të hutuar dhe nuk dinë kujt t’i besojnë. Mbi 4.000 persona janë helmuar në Gostivar, ndërsa Qeveria ende nuk ka publikuar asnjë dokument zyrtar për analizat e ujit. Pse nuk publikohen analizat? Nuk ka dokumente, nuk ka raporte të nënshkruara dhe të miratuara nga institucionet kompetente”, thonë nga LSDM.
Partia vlerëson se mungesa e dokumentacionit zyrtar e minon besimin e qytetarëve në deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë.
“Si mund t’u besohet deklaratave kur nuk ekziston raport zyrtar, nuk dihet kush e ka nënshkruar dhe kush garanton se uji është i sigurt për përdorim teknik? Askush nuk u beson deklaratave të Mickoskit dhe Klekovskit. Rezultatet janë fshehur, ndërsa kjo ka çuar në mbi 4.000 infeksione dhe në shpërthimin e një epidemie të verdhëzës në Gostivar. Qytetarët nuk mund të kenë besim kur me çështjen e furnizimit me ujë dhe hiperklorinimit merret Ministri i Punëve të Brendshme, i cili nuk ka kompetencë apo ekspertizë në këtë fushë”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
LSDM kërkon që institucionet kompetente të publikojnë menjëherë raportet dhe analizat për cilësinë e ujit në Gostivar.
Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.