“Llaskarca”, 12 seanca me radhë pyeten ekspertët e komunikacionit – grindje për pyetjet e përgjigjura

Pyetje të përsëritura dhe përgjigje të përsëritura, ankesa, grindje. Në kësi atmosfere u mbajt seanca e sotme gjyqësore për aksidentin e  autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë (periferi të Shkupit) në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar, raporton Portalb.mk.

Tanimë prej 30 majit, 12 seanca me radhë po pyeten ekipi i ekspertëve që e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit të porositur nga Gjykata Penale e Shkupit. Lupço Micevski, avokat i shoferit të autobusit të aksidentuar, tanimë gjashtë seanca ka vazhduar me pyetjet e tij ndaj ekspertit dhe ende nuk ka mbaruar.

Thuajse çdo të dytën pyetje të avokatit Micevski, ka pasur ankesa nga avokatët e “Durmo Tursit”, me arsyetime të ndryshme, se pyetjet nuk janë të fushës së komunikacionit, parashtrohen në përgjithësi apo nuk janë precize.

Shumë prej çështjeve, të cilat janë pyetur apo diskutuar, pavarësisht se janë marrë përgjigje prej ekspertëve të komunikacionit, janë riaktualizuar në shumë prej seancave, përfshirë edhe të sotmen.

Njëra prej tyre, është çështja e (mos)frenimit të autobusit.

Sipas ekspertëve të komunikacionit, reagim-frenim nga ana e shoferit nuk ka pasur, por ngadalësimi i autobusit është bërë 2.88 metra në sekondë, si pasojë e rezistencës, së sistemit të transmisionit, rrotave, lëvizjes, rrugës së pjerrtë, por edhe të dëmtimit të pjesës së poshtme të autobusit.

Avokati i shoferit Lupço Micevski, vazhdon të insistojë se si është llogaritur kjo dhe a mund të ndahet se cili faktor sa ka ndikuar në këtë numër.

“Nuk ka pasur nevojë të llogariten veçanërisht (secili faktor)”, tha eksperti i komunikacionit Lupço Apostollov, duke shtuar se kjo përllogaritje nuk është bërë në asnjë ekspertizë paraprake. Ndaj çka reagoi avokati Micevski, duke i thënë se nuk e ka pyetur se a ka nevojë, por a mund të llogaritet.

Avokatët e “Durmo Turs”, Velo Kadiev dhe Lavdrim Seferi, reaguan te gjykatësja duke theksuar Micevski po grindet me ekspertin dhe kjo nuk është e lejueshme, pas çka u tensionua atmosfera mes palëve.

Me ankesë u paraqit dhe prokurori, Darko Jakimovski, i cili theksoi se “eksperti po manipulon me faktet, duke u thirrur në ekspertët e tjerë se nuk e kanë bërë dhe se forcat natyrore e kanë ngadalësuar autobusin”.

Avokatët e “Durmo Turs”, theksuan se reagimi i prokurorit nuk është në përputhje me Ligjin për Procedurë Penale.

“E para duhet t’i thuhet avokatit se mendimet dhe qëndrimet e tij nuk mund t’i deklarojë si të sakta dhe në bazë të tyre të pyetet eksperti Postollov”, tha Seferi, duke e quajtur avokatin Micevski – ekspert (të komunikacionit).

“Përfundimisht prokurori konfirmoi një fakt, se asnjë ekspert tjetër nuk ka thënë dhe nuk është përgjigjur në këso pyetjesh. Puna e këtyre ekspertëve ka qenë që t’i shqyrtojë dhe pastrojë kontradiktat e ekspertizave paraprake dhe jo të shpikin tjetër send”, shtoi Seferi, duke shtuar se këto lloj pyetjesh të avokatit Micevski, duhet të ndalohen pa u ankuar.

Avokati Lupço Micevski, rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Avokati Lupço Micevski, në prapavijë shoferi i autobusit të aksidentuar, Manoil Trifunovski. Rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Micevski, kërkoi nga gjykatësja që ta paralajmërojë avokatin Seferi pasi që e ai me përqeshje e ka quajtur ekspert.

“Unë i jam drejtuar gjykatës dhe nuk jam grindur me ekspertin. E dyta, vlerësoj se gjykata duhet ta paralajmërojë avokatin Lavdrim Seferi pasi që me përqeshje për të më ofenduar tha se jam ekspert”, tha avokati Micevski.

Gjykatësja e dytë e lëndës, Aleksandra Ristevska, ua tërhoqi vërejtjen palëve që të ndalojnë me praktikën e “përsëritjes së pyetjeve, ankesave, replikave”.

“Ofendimet jashtë gjykatës, kjo është e patolerueshme”, tha Ristevska duke ia tërhequr vërejtjen avokatit Micevskit që të mos i përsëritë pyetjet.

Pas grindjeve, eksperti vazhdoi me përgjigjen e tij, duke thënë: “Nuk ka nevojë të llogariten, siç thotë prokurori fuqitë natyrore. Ngadalësimi është 2.88 dhe nuk ka këtu asgjë kontradiktore me ekspertizat tjera”.

Ai shtoi se pyetjet për këtë çështje nga ana e avokatit Micevski shtrohen me qëllim që “të humbet kohë dhe se nuk do të bëhej asgjë edhe nëse do të llogariteshin”.

Micevski, vazhdoi me një sërë për bankinat e autostradës.

“Për çka shërbejnë gardhet e hekurta elastike që janë vendosur në autostradë?”, pyeti Micevski Apostollovin.

“Ato janë gardhe prej çelikut, nëse automjeti është me peshë për sa janë projektuar (bankinat) që ta mbajë atë peshë dhe nëse shpejtësia e automjetit është sipas projektimit dhe këndi i goditjes, ta mbajë automjetin në rrugë. Bien në grupin e sigurisë pasive në rrugë”, u përgjigj Apostollov.

A janë vendosur në përputhje me rregullat këto bankina, pyeti Micevski, pas çka u paraqitën për ankesë avokatët e “Durmo Tursit” se pyetja është e përgjithshme.

Edhe prokurori Jakimovski, tha se pyetja është e aspektit ndërtimor dhe jo të komunikacionit.

Micevski, parashtroi dhe pyetje se sa persona janë lënduar dhe kanë ndërruar jetë nga goditja e autobusit në bankinë, pas çka gjykatësja e refuzoi pyetjen me arsyetimin se kjo është çështje e mjekësisë dhe jo e komunikacionit.

Avokati Micevski, vazhdoi me një bllok pyetjesh për sistemin ABS.

A ka qenë i rregullt sistemi ABS në ditën e aksidentit, pyeti Micevski.

“Sipas ekspertëve makinerik, sistemi ABS nuk ka qenë i rregullt. Ka qenë i prerë teli që lidhet me pajisjet (frenat, pedalet…)”, tha Apostollov.

Ky fakt që ABS ka qenë i parregullt, a është shkruar diku në superekspertizën tuaj, pyeti Micevski.

Te ne nuk është shkruar, por te Byroja është shkruar, pasi është pjesë e fushës makinerike dhe jo të komunikacionit.

A ka guxuar të lëshohet në komunikacion me ABS të parregullt, vazhdoi me pyetjet Micevski, për çka reagoi avokati Seferi duke theksuar se pyetja nuk ka lidhje shkak-pasojë me aksidentin, por megjithatë Gjykata e lejoi.

“Është konstatuar se gjatë kohë, sistemi ABS e ka pasur telin e prerë. Por se a duhet të lëshohet ose jo, gjithsesi se nuk duhet, madje edhe një dritë e automjetit nëse nuk punon duhet të rregullohet”, tha Postollov.

Eksperti shtoi se “sistemi ABS shërben që gjatë frenimit, të kryhet zhbllokimi i gomës, por në rastin konkret, shoferi nuk ka frenuar dhe për këtë sistemi ABS nuk ka pasur ndikimi e as është lidhje për arsyen e aksidentit”.

Në fund të seancës, avokati Lavdrim Seferi propozoi që seanca e radhës të vazhdojë derisa të mbarojnë të gjitha pyetjet e Micevskit, pasi që në vazhdimësi po shpik pyetje të reja me qëllim të zvarritjes së procesit gjyqësor.

Seanca e radhës vazhdon me 31 tetor.

Prej 30 majit, procesi gjyqësor për aksidentin e Llaskarcës ka mbetur te parashtrimi i pyetjeve ndaj ekspertëve të superekspertizës së komunikacionit. Disa prej avokatëve, por edhe gjykatësja dhe eksperti, sot disa herë theksuan se po parashtrohet një pyetje nga 5 e dhjetë herë.

Tanimë gjashtë seanca me radhë, pyetje po parashtron avokati i shoferit të autobusit, ndërkaq paraprakisht, 3 seanca ka parashtruar prokurori Darko Jakimovski.

  • 30 maj – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 6 qershor – u anulua seanca
  • 8 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 15 qershor – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 13 korrik – Prokuroria ka parashtruar pyetje
    Pushim veror
  • 12 shtator – Prokuroria ka parashtruar pyetje
  • 14 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 21 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 23 shtator – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 12 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 19 tetor – avokati i shoferit ka parashtruar pyetje
  • 31 tetor – Vazhdon me parashtrimin  pyetjeve avokati i shoferit

Sipas dinamikës, së deritanishme, pasi avokati i shoferit të mbarojë me parashtrimin e pyetjeve, më pas, duhet të parashtrojnë pyetje avokatët e “Durmo Tursit”. Pastaj, do të duhet të jepen fjalët përfundimtare nga palët dhe krejt në fund të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.

Në bisedë jozyrtare me avokatët dhe palët, ata shpresojnë që deri në muajin nëntor ose dhjetor të mbarojë procesi i shkallës së parë.

Superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave, ndërkaq përfaqësuesit e kompanisë “Durmo Turs”, i kane hedhur këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për ekspertizë e cila nuk është porositur prej tyre, por prej gjykatës.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.