Liridona Beqiri në OpenMic: Shpeshtohen rastet e kancerit të gjirit te vajzat, përpos modës gratë të merren edhe me kauza esenciale

Në episodin e gjashtëmbëdhjetë të OpenMic në Portalb.mk flasim me Liridona Beqirin, aktiviste për barazi gjinore dhe drejtoreshë e organizatës “Ezra”.

Me të biseduam për kancerin e gjirit, meqenëse ndodhemi ne muajin tetor i njohur si muaji për aktivizëm dhe fushatë për ngritjen e vetëdijes për këtë sëmundje. Me të biseduam për sfidat në cilat kalojnë gratë dhe vajzat, kushtet që ato kanë, si dhe për rolin e grave në luftimin e kësaj sëmundje.

Ajo tregoi se përfshirja e saj në fushata për sensibilizim për kancerin e gjirit ka dhe aspekt personal pasi që ka humbur nënën e saj nga kjo sëmundje.

“Lufta me kancerin është një luftë shumë personale ngaqë e kam përjetuar nga afër, me nënën time, që fatkeqësisht e humbi këtë betejë” tha ajo.

Por, sipas saj, sa herë kur flet në këtë temë, ajo tenton të flet në këndin e inspirimit dhe mobilizimit për të ngritur çështjen të shihet si luftë e përbashkët sepse kanceri i gjirit është sëmundja që më së tepërmi paraqitet te gratë.

“Kohëve të fundit kemi dhe paciente shumë të reja, në moshë 17 vjeçare, mirëpo është rritur edhe numri i pacientëve meshkuj” tha ajo.

Liridona foli edhe për kushtet në spitale duke theksuar problemin që nuk ka terminë për incizime dhe se shumë gjatë pritet për të njëjtat.

“Politikanët duhet të investojnë dhe jo vetën të premtojnë. Si vend që synon Bashkimin Evropian duhet të tentojë dhe të jep shërbime si atje. Kushtet në spitalet tona nuk janë të mira, sidomos për pacientët me kancer. ” tha ajo duke sugjeruar që secila grua të bëjë fillimisht vetë-kontrolle dhe më pas të paraqitet në kontrolle të rregullta te mjeku që sëmundja mos të zbulohet vonë.

“Nëse bëhet zbulimi i hershëm, kjo sëmundje shërohet” tha ajo.

Gratë të jenë më solidarizuese dhe të angazhohen më tepër, të marrin edhe iniciativa më thelbësore dhe mos të ndjekin vetëm trendët e modës, porositi ajo.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.