Liria e informacionit në Ballkanin Perëndimor ende veç në letër, lë shumë për të dëshiruar

Ligjet e lirisë së informacionit në Ballkanin Perëndimor janë mbi një dekadë të vjetra. Edhe pse, pothuajse të gjitha vendet e monitoruara nga BIRN kanë ligje që konsiderohen të shkruara mirë, vlera e tyre shpesh është vetëm në letër, thuhet në raportin vjetor të lirisë së informacionit të BIRN-it, i publikuar më 19 prill, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse në vitin 2022 shumë autoritete publike iu përgjigjën plotësisht kërkesave për lirinë e informacionit të paraqitura nga gazetarët e BIRN-it në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, disa gjithashtu nuk ofruan akses të plotë në dokumentet e kërkuara, as nuk dhanë ndonjë arsyetim për vendimin e tyre. Më shumë se gjysma e kërkesave nuk kanë marrë fare përgjigje. Vetëm 36% e kërkesave të BIRN-it për LI iu PËRGJIGJËN PLOTËSISHT. Disa janë PËRGJIGJUR PJESËRISHT (4%), disa janë REFUZUAR (3%), ndërsa 57% NUK janë përgjigjur fare, edhe pas disa ndjekjeve nga gazetarët e BIRN.

Për sa i përket Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar, BIRN dorëzoi 58 kërkesa në agjenci të ndryshme shtetërore, zyra, gjykata, autoritete doganore dhe ministri. Shumica e kërkesave për FOI të dorëzuara janë përgjigjur plotësisht (55%); 15% kanë refuzuar dhe kërkesat e mbetura nuk janë përgjigjur fare (30%). Kërkesat e refuzuara kishin të bënin me importet e kanabisit në vend. Si Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave ashtu edhe Drejtoria e Doganës nuk kanë dhënë ndonjë arsyetim ligjor për moszbulimin e informacionit. Tabela e mëposhtme tregon institucionet që janë adresuar, numrin e kërkesave të paraqitura, dokumentet e kërkuara dhe përgjigjet zyrtare të marra:

Tabela nga raporti i BIRN-it për gatishmërinë e institucioneve për dhënie të informacioneve
Tabela nga raporti i BIRN-it për gatishmërinë e institucioneve për dhënie të informacioneve

Nga tabela mund të shihet se Gjykatat, Komisioni antikorrupsion, u janë përgjigur plotësisht kërkesave për informacion. Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar nuk është përgjigjur. Ministria e bujqësisë dhe Drejtoria e doganave dhe partia politike VMRO-DPMNE, kanë refuzuar të përgjigjen.

Institucionet me të cilat BIRN pati bashkëpunim jo të mirëfillt në vitin 2022 me disa vende të Ballkanit, përkatësisht përgjigje të refuzuara:
1. Qeveria e Shqipërisë
2. Ministria e Mbrojtjes, Mali i Zi
3. Drejtoria doganore, Maqedonia e Veriut

Tabela nga raporti i BIRN-it për gatishmërinë e institucioneve për dhënie të informacioneve
Tabela nga raporti i BIRN-it për gatishmërinë e institucioneve për dhënie të informacioneve

Pra, në kategorinë e fundit, siç shihet edhe në tabelë, janë qeveria e Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes në Mal të Zi dhe Administrata Doganore në Maqedoninë e Veriut. Disa thjesht i refuzuan kërkesat pa dhënë asnjë arsyetim, ndërsa të tjerët, si Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, thanë se të dhënat ishin konfidenciale.

Qeverisë së Shqipërisë iu kërkua të jepte informacion për një vendim për demarkacionin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në Mal të Zi, Ministrisë së Mbrojtjes iu kërkuan detaje teknike për ndihmën ushtarake për Ukrainën. Në Maqedoninë e Veriut, nga Drejtoria doganore është kërkuar që të publikojë të dhëna për sasinë totale të kanabisit të importuar në vend gjatë vitit 2021. Të gjitha rastet ishin me interes publik dhe kishin për qëllim informimin e publikut për aktivitetet e qeverisë.

Në vitin 2022, kërkesat e gazetarëve të BIRN në Ministrinë e Shëndetësisë në Bosnje dhe Hercegovinë, Ministrinë e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë për detaje rreth rregulloreve të caktuara për COVID-19, statistikave, tenderëve të vaksinave dhe paketave të rimëkëmbjes ekonomike, nuk u përgjigjën edhe pse tema ishte e një rëndësie të lartë publike. Vetëm Instituti i Shëndetit Publik i Bosnjë-Hercegovinës zbuloi plotësisht statistikat e vaksinës COVID-19. Ndërkohë, Instituti Publik i Republikës Sërpska iu përgjigj vetëm pjesërisht të njëjtës kërkesë duke lëshuar vetëm disa lista ose raporte në lidhje me vaksinimet, të cilat nuk ishin përfshirë në kërkesën origjinale.

Liria e informacionit dhe e drejta për qasje në dokumente publike mbrohet nga kushtetutat dhe ligjet e të gjitha shoqërive demokratike, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Të gjashtë vendet garantojnë të drejtën e publikut për të aksesuar dokumentet zyrtare. Megjithatë, BIRN zbuloi se në praktikë, zbatimi i kuadrit legjislativ mbetet një çështje kryesore.

Ndryshimet e planifikuara ligjore në ligjet për lirinë e informacionit duken të dizajnuara për ta bërë të pamundur që gazetarët tu  kërkojnë llogari autoriteve. Gjatë zbatimit të legjislacionit për lirinë e informacionit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur dukshëm prapa, thuhet në raportin e BIRN-it.

Gjatë zbatimit të duhur të ligjeve dhe dhënies së aksesit në të dhënat publike, veçanërisht gazetarëve, institucionet publike preferojnë të heshtin ose të përgjigjen pjesërisht – dhe jo gjithmonë të japin akses të plotë në informacionin e kërkuar.

Vitin e kaluar, gazetarët e BIRN paraqitën 376 kërkesa për Iirinë e informacionit, në 6 vendet e BP. Vetëm 134 janë përgjigjur plotësisht; më shumë se gjysma e kërkesave nuk iu përgjigjën fare (ajo që njihet si “heshtja administrative”), duke reflektuar mungesën e transparencës dhe proaktivitetit të institucioneve publike. Mungesa e vullnetit politik për të zbatuar plotësisht ligjet për lirinë e informacionit është shtysë kryesore prapa tendencave aktuale, thanë folësit nga rajoni, në panel diskutimin e BIRN-it, “Liria e Informacionit në Ballkan: Thirrjet nuk përgjigjen”.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sasa Dragojlo, gazetar i BIRN nga Serbia, tha në panel diskutimin se është e vështirë të merren informacione nga institucionet serbe. “Edhe kur institucionet u përgjigjen kërkesave tona për FOI, ne nuk marrim gjithmonë informacion real,” tha Dragojlo.

Situata është më e mirë në Kosovë, ku shumë dokumente janë publike. “Ne shohim disa tendenca pozitive, dhe politika gjithashtu ka ndryshuar pak për mirë,” tha Gentiana Ahmeti, gazetare e BIRN-it në Kosovë.

Sa i përket vullnetit politik, ndryshimi i qeverisë në Mal të Zi nuk solli ndonjë përparim, sipas Lazar Gërdiniq, studiues në OJQ MANS në Mal të Zi.

“Qeveria e re, elita e re e pushtetit, mori praktikat e vjetra. Gjendja e lirisë së informacionit në Mal të Zi është pothuajse e njëjtë me atë të disa viteve më parë. Ne duhet të bëjmë më shumë si shoqëri,” e përshkroi Gërdiniq situatën.

Në Maqedoninë e Veriut, problemi kryesor është heshtja e autoriteteve, tha komisionerja për informacion Plamenka Bojçeva në panel.

“Kur dikush dërgon një kërkesë ligjore, institucionet nuk përgjigjen brenda afatit ligjor. Qëllimi ynë është ta ndryshojmë këtë me trajnime të rregullta për zyrtarët që pranojnë kërkesat. Vullneti politik luan një rol shumë të rëndësishëm. Ajo që ne si agjenci përpiqemi të arrijmë, edhe pse na mungojnë burimet, është ta tejkalojmë këtë duke ndërtuar standarde institucionale”, tha Bojçeva.

Kur diskutohej për problemet dhe perspektivat e Partneritetit të qeverisjes së hapur (PQH), Sandra Pernar, një koordinatore e lartë rajonale për Evropën me PQH, përmendi rritjen e lëvizjeve dhe qeverive populiste në mbarë botën.

“Partitë dhe politikanët populist përdorin mosbesimin dhe zemërimin e qytetarëve për t’u ngritur në pushtet. Tri sfidat më të rëndësishme me të cilat përballen vendet e Ballkanit janë lufta kundër korrupsionit, mungesa e hapësirës së hapur qytetare dhe besimi në institucione”, tha ajo në një video-mesazh.

German Flikov, nga Qendra për Komunikim Civil Shkup, tha se një nga mangësitë më të mëdha të PHQ-së është se varet nga angazhimet personale të një numri të kufizuar njerëzish. “Procesi kërkon edhe vullnet politik, nëse një ministër i qeverisë e njeh procesin”, tha ai.

Sipas raportit vjetor të BIRN-it për Lirinë e Informacionit, institucionet publike preferuan t’i mbanin sekret të dhënat publike dhe të mos ndihmonin publikun të kuptonte më mirë ngjarjet e rëndësishme ose veprimet qeveritare. Duket si një trend që përsëritet çdo vit bazuar në të dhënat e mbledhura nga institucionet e monitoruara nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Raporti vjetor i BIRN-it është pjesë e projektit “Gjurmë letre drejt qeverisjes më të mirë”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim.