Liderët e partive opozitare PDK dhe LDK refuzuan takimin me presidenten Osmani

Liderët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë pjesëmarrjen në një takim të ftuar nga presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton REL.

Ftesa e presidentes Osmani për një takim të krerëve të institucioneve me kryetarët e partive kryesore politike në vend ishte iniciuar me kërkesën e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në ftesën e dërguar liderëve të partive politike, presidentja Osmani ka theksuar bindjen se “bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve me partitë politike janë thelbësore për t’i përballur sfidat aktuale dhe për të punuar bashkë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta…”.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi ka shkruar në Facebook se i ka kthyer përgjigjen presidentes Osmani duke e njoftuar atë se e refuzon pjesëmarrjen në takim, për një varg arsyesh.

Në letrën dërguar presidentes Osmani, lideri i PDK-së ka thënë se në tre javët e fundit , situata e sigurisë në Kosovë është përkeqësuar dukshëm dhe në veri të vendit nuk ka normalitet.

“Gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi.

Ai i ka shkruar presidentes se “veprimet e tilla lënë të kuptojnë se jeni shndërruar në një mbështetëse dhe certifikuese të veprimeve aventureske dhe të papërgjegjshme të kryeministrit (Kurti)”.

Ftesës së presidentes i është përgjigjur negativisht edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.

Në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani, është thënë se partia e tij ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend “në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO”.

Abdixhiku ka theksuar se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Çfarë Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon e pret në këtë kohë është pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të Kryeministrit, që ballafaqimin me aleat po e shndërron në kauzë të sjelljes së brendshme politike, me pasoja afatgjata për sovranitetin e vendit dhe për pozicionin tonë ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut ndaj presidentes Osmani.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk mund të pranojë e as të tolerojë një përplasje të Kosovës me aleatët, duke shtuar se s’mund të jetë pjesë e diskutimeve për këtë çështje.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka kërkuar nga presidentja të iniciojë takimin e kryetarët e partive politike kryesore në vend, ditë më parë ka shprehur shqetësimin për situatën e rëndë politike dhe të sigurisë në vend.