Liderët e G7 do të formojnë platformë koordinimi kundër presioneve ekonomike

Liderët e vendeve të G7 njoftuan se do të formojnë kornizën e Platformës për koordinimin e presioneve ekonomike për t’iu kundërvënë sfidave ekonomike në tregun modern, transmeton Anadolu.

Në qytetin Hiroshima të Japonisë vazhdon në ditën e dytë Samiti i Liderëve të G7-tës. Liderët u takuan në kuadër të seancës me temë “Rezistenca ekonomike dhe siguria ekonomike”. Në një deklaratë pas seancës, liderët theksuan se për të përmirësuar parandalimin e përbashkët dhe për të rritur kundërpërgjigjen ndaj presioneve ekonomike do të krijojnë kornizën e re të “Platformës së Koordinimit të Presionit Ekonomik”.

“Do të përdorim paralajmërimin e hershëm dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit, do të konsultohemi rregullisht me njëri-tjetrin, do të vlerësojmë situatat në bashkëpunim, do të shqyrtohen reagimet e koordinuara, do të parandalojmë presionin ekonomik dhe do të kundërvihemi kur është e përshtatshme në përputhje me sistemet tona ligjore përkatëse”, thuhet në deklaratën lidhur me kornizën e re.

“Riafirmojmë përgjegjësinë tonë dhe vendosmërinë e përbashkët në çështjen e koordinimit për të parandaluar përdorimin e teknologjive më të fundit që kemi zhvilluar në zhvillimin e aftësive ushtarake që kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet më tej.

Perëndimi dhe partnerët e tjerë tregtarë paralajmërohen kundër vendeve të cilat varësinë ekonomike e kanë bërë armë, njoftohet në deklaratën, ndërkohë që vihet theksi se liderët kanë thënë se “Shprehim shqetësimet tona lidhur me strategjitë gjithëpërfshirëse kundër përdorimit në mënyrë të përhapur të një sërë politikave dhe praktikave të tilla si subvencione industriale të dëmshme dhe jo transparente, praktikat që prishin tregun e bizneseve të një shteti dhe çdo transferim të detyruar teknologjie”.

Duke vënë theksin se do të merren masat e nevojshme për të kundërshtuar kufizimet tregtare të njëanshme, liderët premtuan bashkëpunim për reduktimin e varësisë nga produktet strategjike, përfshirë gjysmëpërçuesit dhe elementët e rrallë që përdoren në prodhimin e baterive. Po ashtu liderët shprehën angazhimin se do të sigurojnë ndihmat e tyre për energji dhe zhvillim ndaj vendeve në zhvillim.