Liderët e BE-së е akuzojnë Viktor Orbanin për shantazh pas bllokimit të huasë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Liderët e Bashkimit Evropian kanë akuzuar Viktor Orbanin për pabesi dhe shantazh, pasi ai bllokoi huanë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, shkruan BBC.

“Nuk ka naftë, nuk ka para”, shkroi kryeministri hungarez në rrjetin social X pas samitit në Bruksel, ku ai refuzoi të hiqte veton për shkak të kontestit rreth naftësjellësit “Druzhba”, i cili kalon përmes Ukrainës.

Para pak ditësh, Ukraina pranoi mbështetje financiare dhe teknike nga Bashkimi Evropian për të riparuar “Druzhba”-n, përmes të cilit Hungaria dhe Sllovakia furnizohen me naftë nga Rusia. Naftësjellësi nuk është në funksion që nga janari, kur, sipas Ukrainës, u dëmtua nga dronët rusë.

Orbani tha se ai dhe qeveria e tij kanë “shumë letra në duar”, përveç bllokimit të ndihmës financiare për Kievin.

“Kemi edhe mjete të tjera. Dyzet për qind e energjisë elektrike për Ukrainën kalon përmes Hungarisë, ende nuk e kemi prekur këtë. BE-ja dëshiron vazhdimisht të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë. Kjo kërkon unanimitet, dhe ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi Orban.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përshkroi veprimin e Orbanit si një akt të pështirë pabesie, ndërsa kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, porositi se askush nuk do t’i shantazhojë institucionet evropiane.

Orbani po e përdor Ukrainën si motivin kryesor të fushatës së tij parazgjedhore, duke thënë se fitorja e kundërshtarit të tij kryesor, Peter Magyar, mund ta tërheqë Hungarinë në luftë. Para samitit, ai tha se nuk do të tërhiqet dhe nuk do të lejojë që Ukraina të marrë 90 miliardë euro nga BE-ja derisa të rrjedhë nafta përmes “Druzhba”-s, megjithëse në dhjetor e kishte mbështetur planin.

“Ishte një debat i vështirë, por ne qëndruam në qëndrimin tonë. Kemi të drejtë të themi ‘jo’ për huanë ushtarake ukrainase. Derisa Zelensky të mos heqë bllokadën e naftës, ata nuk do të marrin asnjë para nga Brukseli”, shkroi Orbani në X.

Përveç Orbanit, edhe kryeministri sllovak, Robert Fico, refuzoi të mbështesë konkluzionet e samitit, me të cilat konfirmohet qëllimi për lirimin e mjeteve për Ukrainën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi se huaja do të ndahet “në një mënyrë ose në një tjetër”, ndërsa Emmanuel Macron tha se nuk do të ketë “plan B” për mjetet, sepse “plani A duhet të zbatohet”.