LEN: 500 aparate dhe karrige për kazino janë investimi i parë për vitin 2024 nga qeverisja e Grubit

BDI në opinion shitet se është kundër kazinove, por me ligj mundësoi që në formë online, kazinotë të hyjnë në çdo shtëpi e në telefoni e çdo qytetari, akuzoi sot Lidhja Europiane për Ndryshim, transmeton Portalb.mk.

“Nga ana tjetër, derisa fëmijët në shkolla, me vite të tëra nuk kanë libra, Qeveria e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit, tani me nënshkrimin edhe të Përparim Bajramit për në janar të vitit 2024 në plan të parë kanë vendosur furnizimin edhe të 500 aparateve dhe 500 karrigeve të reja për kazino, si dhe reklama për kazinotë. Funksionerët e Ali Ahmetit, investimin e parë këtë vit, prej 5 milion eurove e bëjnë për kazinotë, ndërsa nuk ka asnjë dyshim se këto tenderë janë përgatitur për biznesmenët e krimit nga Beogradi. Tani, BDI nuk vepron vetëm nga një institucion siç është LLOTARIA SHTETËRORE, por me dy institucione, siç është edhe NOVO VLT (Nova Drzavna Lotarija) ku udhëheqës janë Omer Bunjaku, Përparim Bajrami, Artin Spahiu, të tre kurbanët e Artan Grubit”, akuzojnë nga LEN.

Ata shtojnë se në 4 vite qeverisje, Artan Grubi ka harxhuar 25 milionë euro për aparate të kazinove, ndërsa në vendbanimet shqiptare, nuk po hapen çerdhe e shkolla, nuk po promovohen libra, nuk flitet për teatër dhe kulturë, por po shtohen lotot, kazinotë dhe kumari.

Ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse kaluan me 27 dhjetor në lexim të parë në seancën e 106-të plenare të Kuvendit. Ata u sollën me të ashtuquajturat Flamuri evropian, procedurë e cila në këtë rast nuk ishte e pranueshme jo vetëm për opozitën VMRO-DPMNE por edhe për kryetarin e shtetit Stevo Pendarovski.

Amendamentet e propozuara në Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse janë përcaktuar nga Qeveria më 7 shkurt dhe janë dërguar në Kuvend me flamur evropian.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.