Lefkov: Bisera “Antoaneta” për vetëm katër ditë në Vjenë shpenzoi mbi tre mijë euro me kartelën e saj zyrtare, reagoi ish-ministrja

VMRO-DPMNE-ja në pushtet doli sot në konferencë për media me akuza të reja për ish-ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, duke thënë se ajo bënte lukse me para publike në Vjenë. Përkatësisht, siç ka njoftuar deputeti Mile Lefkov, Kostadinovska-Stojçevska ka shpenzuar mbi tre mijë euro për vetëm katër ditë në Vjenë. Stojçevska i hodhi poshtë këto akuza, transmeton Portalb.mk.

“Bisera Antoineta shpenzoi 3.061 euro para të popullit në vetëm katër ditë në Vjenë, për luks dhe shkëlqim. Përkatësisht, nga data 07.12.2023 deri më 11.12.2023, Bisera Antoineta ka qëndruar e vetme në Vjenë, nuk është shoqëruar as nga Ministria e Kulturës dhe as nga qeveria. Bisera Antoineta ndihej si një mbretëreshë e vërtetë në Vjenë. Në vend që të merrte me qira një dhomë hoteli, ajo mori me kartelën zyrtare me para publike një apartament tredhomësh prej 70 metrash katrorë në qendër të Vjenës. Bisera Antoineta për vetëm katër netë, banesën me tre dhoma e ka paguar 1.213 euro ose 74.599 mijë denarë. Në afërsi ku ishte vendosur kishte hotele elitare ku një natë me mëngjes kushton 9000 denarë, ndërsa hotel me karakteristika normale mund të gjendet për 6000 denarë”, tha Lefkov, i cili prezantoi edhe dokumentet që pretendon se janë prova për pretendimet e tij.

Për të udhëtuar në Vjenë, siç shtoi Lefkov, ish-ministrja bleu një biletë avioni vajtje-ardhje nga Ohri në Vjenë për 385 euro, të cilën fillimisht e pagoi privatisht dhe më pas i tërhoqi paratë në para në dorë nga Ministria e Kulturës, si përfaqësuese.

Foto: VMRO-DPMNE
Foto: VMRO-DPMNE

Lefkov ftoi Kostadinovska-Stojçevskës të përgjigjet se çfarë po bënte në Vjenë, për çfarë nevoje ishte ai udhëtim dhe pse nuk mori me qira një dhomë hoteli më të lirë në vend të një apartamenti luksoz me tre dhoma.

Për këtë reagoi Stojçevska, tha se VMRO-DPMNE vazhdon me gënjeshtra dhe të pavërteta për atë edhe në një festë fetare.

“Dua që qytetarët ta dinë se për udhëtim zyrtar është zgjedhur akomodimi shumë më i lirë se hoteli apo kartëvizitat luksoze si ato të Mickoskit dhe ministrave të tij prej 20 mijë eurosh”, tha Kostadinovska Stojçevska.

Ajo tha se udhëtimi zyrtar ka pasur për qëllim ekspozitën multikulturore të prezantuar me vepra arti të më shumë se pesëdhjetë artistëve maqedonas.

Paraprakisht, VMRO-DPMNE akuzoi ish-ministren e Kulturës se me paratë e shtetit ka blerë valixhe, dhurata dhe çorape në Londër.

Kostadinovska-Stojçevska i hodhi poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së si gënjeshtra dhe manipulime. Sipas ish-ministres, e vërteta është se një pjesë e kostove që u paraqitën i referohen nevojës për sigurimin e kushteve bazë për funksionimin normal të një udhëtimi zyrtar në të cilin kompania ajrore ia humbi bagazhin.

Ndërkohë dje, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, akuzoi paraardhësen e tij në detyrë, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, për keqpërdorime, jo vetëm në sferën e shpenzimit të parasë publike dhe kartelës zyrtare, por edhe për operim të kundërligjshëm dhe në sferën e investimeve kapitale.

Ndryshe, dje Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka hapur lëndë për të vërtetuar akuzat për keqpërdorim të mjeteve buxhetore nga ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska.