Laura Konda: Je fytyra e lajmit për publikun, i mirë apo i keq qoftë ai

Mbase, të gjithë e kemi të regjistruar zërin që na kumtonte lajmet e mira e të këqija në një periudhë kur të gjithë i kishim të drejtuar sytë e veshët nga “Zëri i Amerikës” dhe ku shfaqej papritmas ajo: “Unë jam Laura Konda”. Ky zë tërhiqte vëmendjen ta shohësh për të folurin e bukur e të rrjedhshme, kur e shihje kuptoje klasin, sharmin dhe bukurinë.

E bija e poetit, kritikut Drago Siliqit, njeriut që drejtori shtëpinë̈ botuese “Naim Frashëri”. Në moshën 33 vjeçare, me avionin me të cilin udhëtonte nga Kina u përplas diku në malet e Siberisë̈ në korrikun e vitit 1963 dhe siç thotë dhe Kadareja në një poezi për të, gjithë jetën do të duket sikur “të gjithë avionët ty të marrin, por prapa s’të sjellë asnji”. Laura së fundmi ka ribotuar poezitë dhe kritikat e babait “Një jetë në fluturim” e cila për botën letrare ka një rëndësi të veçantë, pasi në të ka dhe gjëra që botohen për herë të parë. Një ditë Laura vendosi t’i japë lamtumirën “Zërit të Amerikës” me emocione plot, por e di si ky zë do të kumbojë gjatë në kujtesën e atyre që e kanë ndjekur punën e saj. Në këtë bisedë për Portalb.mk flasim se si duket jeta e saj mes kujtimeve për babanë, shkuarjeve ardhjeve nga një kontinent në tjetrin, si e ka përballuar stresin e daljes në ekran.

Laura Konda, portret nga Buron Kaceli
Laura Konda, portret nga Buron Kaceli

Portalb: Një jetë me “Zërin e Amerikës”, nga ky kënd duket pak apo shumë?

Laura Konda: Vërtetë kam punuar për shumë vite për “Zërin e Amerikës”, por nuk mund të them një jetë. Kam punuar për 21 vjet fillimisht për radion e më pas televizionin në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës dhe këta i quaj vite të rëndësishme të jetës sime, që lidhen me shumë ngjarje historike të kombit shqiptar: pavarësia e Kosovës, që ishte ngjarja e shekullit për shqiptarët, zhvillime të vrullshme politike e sociale në Shqipëri me baticat e zbaticat e tyre, që sollën Shqipërinë që kemi sot; përpjekjet e mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë se Veriut për të fituar të drejtat e tyre të ligjshme; lufta e shqiptarëve të Malit të Zi për përfaqësim të denjë në politikën e vendit…Para se familja ime të vendosej në Shtetet e Bashkuara, unë kam patur një karrierë 12-vjeçare në Shqipëri, ku kam punuar si gazetare në “Zërin e Rinisë” dhe pedagoge e gjuhës angleze në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” e me pas në Universitetin e Tiranës.

Portalb: Cili ka qenë vendimi më i rëndë/vështirë që keni marrë në jetë?

Laura Konda: Vendim i vështirë për mua dhe familjen time ka qenë qëndrimi për të jetuar në Shtetet e Bashkuara. Kisha ndërtuar një karrierë e një të ardhme në Shqipëri me punën time si intelektuale e largimi në vitin 1995 ka qenë i vështirë: nuk e dija çfarë më priste në këtë vend-kontinent, ku fillimisht të duket sikur ke humbur rrugën e të mungon një busull që të të orientojë, ku gjithçka është e panjohur dhe duhet të punosh fort për të arritur një status shoqëror të ngjashëm me atë që ke patur në vendin tënd. E njëjta situatë ishte edhe për bashkëshortin tim, që kishte punuar si studiues i ekonomisë e më pas kishte patur pozicione të rëndësishme në qeveritë e pas viteve 1990, si ministër e zëvendësministër i ekonomisë, dhe që jetën në Shtetet e Bashkuara e filloi si student për master në ekonomi, apo edhe përshtatja e fëmijëve në një vend tërësisht të huaj për ta, përfshirë vështirësitë e komunikimit…Por kur je ende e re, në të tridhjetat, je bashkë me familjen e ke dëshirë, vullnet e vendosmëri për të ecur përpara, vështirësitë kalohen më lehtë.

Një jetë në fluturim, Drago Siliqi
Një jetë në fluturim, Drago Siliqi

Portalb: Ç’ kujtoni me nostalgji nga rrëfimet për babanë?

Laura Konda: Unë babanë nuk e kam njohur, kam qenë më pak se dy vjeç kur ai u largua dhunshëm nga jeta, në një aksident ajror. Por atë e kam njohur përmes rrëfimeve të nënës sime, të të afërmve e miqve të tij të shumtë, përmes veprave të tij.

Portalb: Ju duket i nënvlerësuar yt atë Drago Siliqi?

Laura Konda: Jo, nuk mendoj që ka qenë i nënvlerësuar, përkundrazi. Një njeri që u largua nga jeta 60 vjet më parë, kur ishte vetëm 33 vjeç, ende kujtohet sot si poet, kritik letrar, e botues i guximshëm i autorëve më të njohur të letërsisë botërore, në një periudhë kur Shqipëria ishte e mbyllur ndaj botës, kulturës e artit të fuqishëm. Edhe pse shumica e bashkëmoshatareve të tij sot nuk jetojnë, Drago Siliqi ende kujtohet për kontributin e tij në letërsi dhe në botimet në gjuhën e shqipe.

Portalb: Cili është mëkati më i madh i Shqipërisë me familjen Siliqi?

Laura Konda: Unë jam shtetase amerikane. Shtetet e Bashkuara janë vendi që më ka pritur e më ka ofruar gjithçka mua e familjes sime. Por unë kam qenë e mbetem edhe shtetase shqiptare. Shqipëria ka qenë, është e do të jetë përherë atdheu im i dashur. Largësia vetëm më ka bërë që të vlerësoj edhe më shumë çka ajo më ka dhënë. Në asnjë rrethanë, atdheu nuk mund të ketë bërë mëkate karshi teje. Përkundrazi, jemi ne që mund të kemi mëkate ndaj atdheut.

Portalb: Si e keni menaxhuar stresin që ju jep ekrani tërë këto vite?

Laura Konda: Puna e gazetarit është punë mjaft e bukur, sepse jeton me tempin e ngjarjeve bashkëkohore dhe atyre të historisë. Motoja kryesore e një gazetari të mirë është pasqyrimi i ngjarjeve me vërtetësi, me paanshmëri e objektivitet. Kjo nuk është gjithmonë diçka e lehtë, kërkon shumë punë e integritet. Natyrisht, i gjithë procesi shoqërohet me stres, që shtohet më tej nga fakti se komunikon drejtpërdrejt me audiencën. Ti jeton me ngjarjet, je fytyra e lajmit, të mirë apo të keq e ia transmeton ato publikut duke qëndruar e vërtetë dhe e paanshme. Për mua gazetaria është një profesion që të jep shumë satisfaksion dhe të bën ta jetosh në çdo hap jetën.

Laura Konda, studio
Laura Konda, studio

Portalb: Amerika ç’ ju ka dhënë dhe ç’ju ka marrë?

Laura Konda: Amerika më ka dhënë shumë, më ka dhënë mundësinë të punoj në një profesion që e kam dashur fort e të shpërblehem për punën time, të jetoj në një shtet ku qytetari ndihet i lirë, që funksionon me ligje, ku të drejtat e tua respektohen, ku të vërtetën mund ta kërkosh e të kesh besim se do e gjesh në organet e drejtësisë, është një vend ku fëmijët e mi kanë një të ardhme të sigurt, dhe për këtë i jam shumë mirënjohëse këtij vendi. Nga ana tjetër, ndjej keqardhje për shumë orë të humbura në punë, që mund t’ua kisha kushtuar familjes sime, fëmijëve të mi… Por në fund të fundit kjo ishte kosto e një rrugëtimi të ri kur emigron në një vend të huaj.

Portalb: Laura Konda çka nuk ka dashur kurrë të ndajë me publikun?

Laura Konda: Ato që çdo njeri ka të drejtën t’i ketë personale, vetëm të vetat dhe të familjes. Jetojmë në një kohë kur privatësia e individit shkelet e madje sulmohet në mënyrë të vazhdueshme, kur mediat transmetojnë produkte mediokre, banale dhe kur superficialiteti e artificialiteti marrin orë të tëra të jetës së njerëzve.

Portalb: Poezia e Kadaresë është për Drago Siliqin? Kishin një raport të veçantë thonë? E keni takuar ju vet Kadarenë? Ç’ ju ka rrëfyer për babanë?/ “Ka njëzet vjet që ti mungon,/zbrazëtirën asgjë se mbush,/në tryezën e gëzimit a të brengës sonë,/ka një vend ku s’ulet askush.”

Laura Konda: Babai im ka qenë mik i Kadaresë. Ata kishin një miqësi tepër të veçantë, për të cilën Kadare ka folur vazhdimisht. Kishin një miqësi që bazohej te besnikëria reciproke, te dashuria për letërsinë dhe artin e vërtetë. Si botues dhe drejtor i së vetmes shtëpi botuese që kishte në Shqipëri, im atë e ka mbështetur Kadarenë që në fillimet e krijimtarisë së tij. Ata bisedonin bashkë me orë të tëra për letërsinë dhe Kadare kujton se ishte im atë ai që e mbështeste në krijimtarinë e tij e madje ia shtiu në mend idenë që një tregim të shkurtër, ta shndërronte në një një roman të famshëm e një nga veprat e tij më të mira të letërsisë shqipe e asaj botërore, siç është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Çifti Kadare kanë qenë kurdoherë miq të familjes sonë. Natyrisht që unë e kam takuar shumë herë Kadarenë dhe ai është autori im më i preferuar i letërsisë shqipe.

Laura Konda, Ditari
Laura Konda, Ditari

Nga krejt letrat që keni lexuar nga prindërit, ç’ ju ka ngelur në mendje nga përjetimet e tyre bashkë? Ishin më shumë sesa thjesht burrë e grua?

Laura Konda: Prindërit e mi ishin bashkë në shkollë, kur studionin në Tiranë për letërsi. U shkëputën për 5 vjet, kur im atë shkoi të studionte në Moskë. Ata ishin fillimisht miq të mirë e më pas u lidhën për jetë. Gjatë 5 vjetëve që im atë studionte në Institutin “Gorki”, ata patën një korrespondencë të rregullt, ku shkëmbenin mendimet e tyre për letërsinë, autorët, etj. Këtë komunikim për letërsinë ata e ruajtën edhe kur ishin burrë e grua, kur im atë ishte redaktor e më pas drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” e nëna ime ishte mësuese e letërsisë në shkollat e mesme “Sami Frashëri” e “Petro Nini Luarasi”. Letërsia ishte një bisedë e tyre e preferuar.

Portalb: Keni provuar të shkruani ju? Kujtimet e një gazetareje mbase?

Laura Konda: Unë kam shkruar që në moshën 14 vjeçare, kur botoja poezi në gazetat dhe revistat letrare të Shqipërisë në vitet 1980. Më vonë punova si gazetare te “Zëri i Rinisë”. Gjatë gjithë jetës sime kam patur një raport të veçantë me letërsinë e gazetarinë. Edhe sot vazhdoj të shkruaj.

Laura Konda
Laura Konda

Portalb: Nga të tëra përjetimet, cili kujtim i bukur dominon në jetën tuaj?

Laura Konda: Jeta është e mbushur me kujtime të bukura në planin familjar e atë social. Nuk mund të veçoj ndonjërin prej tyre. E gjithë jeta është shumë e bukur ta jetosh.

Portalb: Po ai kujtim që do kishit dashur ta fshini?

Laura Konda: Keqardhja për kohën e humbur, apo shqetësimet për gjëra pa vlerë.

Portalb: Si duket rruga e jetës nga ky kënd ku jeni tash, ka qenë rrugëtim i vështirë? Ju ka lodhur?

Laura Konda: Aspak. Unë kam patur gjithmonë një sens pozitiviteti. Jeta na jepet vetëm një herë e është gjithmonë e bukur ta jetosh. Mjafton ta shikosh e jetosh me pozitivitet.

Portalb: Ç’e ka bërë Laurën ikonë të gazetarisë?

Laura Konda: Nuk më pëlqen të jap këshilla, por mendoj se cilësia më e rëndësishme për një gazetar është të jesh i vërtetë.