Kuvendi zgjodhi Meri Dika Georgievskën për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese

Me 64 vota “pro” dhe pa asnjë votë “kundër” apo “abstenim”, deputetët në seancën e 97-të të Kuvendit zgjodhën sot Meri Dika Georgievskën si gjyqtare të re të Gjykatës Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Pas zgjedhjes, Georgievska dha betimin solemn para deputetëve në Kuvend, duke e marrë zyrtarisht detyrën e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.

Georgievska, aktualisht kryetare e Gjykatës së Apelit në Shkup, ishte propozuar për gjyqtare kushtetuese nga Këshilli Gjyqësor që në muajin mars të këtij viti. Në atë proces, ajo ishte në garë me kolegen e saj nga Gjykata e Apelit të Shkupit, Elizabeta Dukovska, e cila nuk mori mbështetjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor e arsyetuan vendimin e tyre me faktin se Dukovska nuk kishte 20 vjet përvojë të pandërprerë si gjyqtare e rregullt, siç kërkohet me Ligjin për Këshillin Gjyqësor.

Megjithatë, pavarësisht zgjedhjes së saj, Gjykata Kushtetuese mbetet ende e paplotësuar, pasi ndërkohë gjyqtari Goce Naumovski ka paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga funksioni.

 Gjyqtarin e nëntë, i cili duhet ta zëvendësojë Naumovskin, duhet ta propozojë Kuvendi, përkatësisht shumica parlamentare, duke e lënë plotësimin e Gjykatës plotësisht në duart e deputetëve.

Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe kur kryetare e Gjykatës Kushtetuese ishte Dobrilla Kacarska. Në atë kohë, Gjykata punonte në kufirin e kuorumit, pasi nga nëntë gjyqtarë sa duhet të kishte, funksiononte vetëm me pesë.

Meqenëse edhe përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese ende nuk mund të plotësohet, disa ligje vazhdojnë të presin pa u shqyrtuar. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lënda që pret më së gjati në Gjykatë – që nga viti 2018, pra tashmë tetë vjet.

Nga Gjykata bëjnë të ditur se në seancën e parë të shtatorit do të hidhen në votim të gjitha lëndët për të cilat ende nuk ka vendim, përveç atyre të ndjeshme. Bëhet fjalë për gjashtë ose shtatë lëndë, ndër të cilat edhe Kodi Zgjedhor në pjesën që ka të bëjë me reklamimin politik me pagesë. Për këto lëndë do të votohet sepse, nëse nesër zgjidhet Dika Georgievska, do të ndryshojë raporti i votave në Gjykatë.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të vendosur nëse do të hapte procedurë sipas nismës së partive Levica dhe Demokratët, të cilat e kontestojnë kushtetutshmërinë e dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me reklamimin politik me pagesë. Gjyqtari Osman Kadriu, si raportues i lëndës, propozoi hapjen e procedurës dhe shqyrtimin e këtyre dispozitave, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e pesë gjyqtarëve. Atëherë, nga Gjykata njoftuan se lënda mbetet e hapur dhe se për të do të votohet në një nga seancat e ardhshme.