Kuvendi i RMV-së votoi për nevojën e miratimit të Projektligjit për Këshillin Gjyqësor, nuk dihet nëse është marrë mendimi i KE-së

Me shumicë votash, deputetët votuan për nevojën e miratimit të Projektligjit për Këshillin Gjyqësor. Ligji po kalohet në lexim të dytë. Ministri i Drejtësisë Igor Filkov në fjalimin e tij tha se ky ligj ka filluar një epokë të re pune dhe funksionimi në Ministri, në të cilën çdo ligj i rëndësishëm dhe thelbësor për qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përgatitet përmes një procesi të hapur, publik dhe transparent, transmeton Portalb.mk.

Risitë kryesore të parashikuara nga Ligji janë:

  • Publiciteti në procedurën për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Gjyqësor,
  • Për herë të parë, specifikimi i kritereve për zgjedhjen e një “avokati të shquar”.
  • Futja e një debati publik gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë jo-gjyqësorë me qëllim sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies më të madhe,
  • Forcimi i kritereve për përzgjedhjen, llogaridhënien dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve,
  • Specifikimi i qartë i procedurës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, por edhe i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor,
  • Vendosja e një detyrimi për Këshillin Gjyqësor për të specifikuar, individualizuar dhe shpjeguar vendimet për përzgjedhjen dhe përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve,
  • Vendosja e afateve për ndërmarrjen e veprimeve për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, si dhe specifikimi i bazave dhe procedurës për ankim kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor, si dhe
  • zgjidhje të shumta të tjera për përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor në përputhje me rekomandimet e BE-së”, tha Ministri Filkov.

Kujtojmë se rreth një javë më parë, Projektligji për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të kapërcejë dobësitë e zgjidhjes paraprake ligjore bazuar në rekomandimet e Misionit të Vlerësimit të BE-së, iu dorëzua Komisionit Evropian për mendim. Nuk dihet nëse vendi ka pritur përgjigjen e Komisionit, apo jo, kjo nuk u u bë e ditur në kumtesën e sotme të Ministrisë së Drejtësisë.

Ligji në fjalë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është pjesë e Agjendës së Reformës.