Kuvendi i RMV-së miratoi Rezolutën për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të paligjshëm

Kuvendi me 65 vota “për” dhe pesë vota “kundër” sot pasdite e miratoi “Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm”, raporton MIA.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski në shpjegim theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria kanë qëllim të qartë, dinjitoz dhe të pandryshueshëm kundër emigrimit të jashtëligjshëm. Potencoi se Qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar, nuk është dakorduar dhe nuk do të lejojë ndërtim të kampeve emigruese ose strehim të përhershëm të emigrantëve në territorin e komunave në shtet. Me këtë Rezolutë, siç theksoi, i jepet fund të gjitha spekulimeve dhe të pavërtetave të plasuara me qëllim të cilat i dëgjojmë.

Micevski theksoi se Rezoluta ka edhe rol të qartë parandalues – ajo dërgon porosi se çështjet në lidhje me sigurinë, emigrimin dhe paqen publike nuk guxojnë të jenë mjet i gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike. Ai, theksoi se si koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, i mbështetur nga kolegët e VLEN dhe ZNAM, e kërkoj mbështetjen tuaj që t’i japim fund, siç tha, njëherë e përgjithmonë retorikës së dëmshme me pranimin e kësaj e rezolute.

Anëtarët e Komisionit kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, paraprakisht sot në mbledhje dhanë mbështetje për Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm, të parashtruar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Kujtojmë se kohët e fundit, LSDM dhe VMRO janë përplasur për çështjen e migrantëve në Maqedoninë e Veriut, me LSDM-në që akuzon VMRO-në për tentativa të supozuara për të sjellë emigrantë dhe për manipulime politike, duke paralajmëruar madje protesta dhe duke u larguar nga seanca parlamentare mbi rezolutën kundër migrimit të paligjshëm.⁣

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE së bashku me koalicionet VLEN dhe ZNAM paraqitën rezolutën që dënon “manipulimet e opozitës” dhe konfirmon politikat kundër migrimit të paligjshëm, duke mohuar negociatat për pranimin e migrantëve në vend.⁣ Debati politik lidhet edhe me raportimet ndërkombëtare dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e riatdhesimeve dhe ndërtimin e kornizave të reja për azil, si dhe me shqetësime për sigurinë dhe integrimin e emigrantëve.