Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi ligjin për të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes

Ministria për Mbrojtje në Maqedoninë e Veriut ka sqaruar që pas 32 vjetëve pavarësi, punonjësit e mbrojtjes do të ketë ligj të ri, pasi një gjë e tillë mori dritë të gjelbër nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot me 97 vota “për” dhe asnjë kundër, e kanë miratuar Ligjin e ri për të punësuarit në mbrojtje, zgjidhja e parë ligjore përmes së cilët të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes do të vlerësohet për profesionalizmin e tyre, për përkushtimin e tyre dhe për pozitën që e kanë në sistemin e mbrojtjes”, deklarojnë nga Ministria.

Përmes sistemit MERIT, planifikohet përmirësimi i standardit për të punësuarit në mbrojtje, në përputhje me standardet më të larta të NATO-s.

“Përfshihet edhe mundësia për punësimin pa konkurs për personat me nevoja të veçanta”, sqaroi Ministria, duke shtuar që pa konkurs do të mund të punësohen edhe familjari i një të ndjeri që ka punuar në Mbrojtje ose në forcat e sigurisë.

Në ndryshimet ligjore, planifikohen edhe bursa për kuadrin specifik të mbrojtjes, ndërsa dalja në pension do të jetë me 80 % të dhjetë viteve më të mira të fondit pensional.

Më 13 shkurt, Ministrja e Mbrojtjes në Qeverinë teknike, Sllavjanka Petrovska dhe kryetari i Sindikatit të pavarur të mbrojtjes, Vanço Isajov, e kanë nënshkruar Marrëveshjen e re kolektive për të punësuarit në mbrojtje dhe pjesëtarët e Armatës.