Kurti bisedoi me shefin e industrisë turke të Mbrojtjes për mundësinë e “prodhimit të municionit”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi të martën në Prishtinë me presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, për mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për prodhimin e municionit, tha zyra e kryeministrit Kurti, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kurti gjithashtu tha se Kosova do të vazhdojë të blejë pajisje ushtarake nga Turqia, “e cila mbetet një prej partnerëve kryesorë të Kosovës”.
“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”, thuhet në njoftim.
Kurti e priti në takim Gorunin, i cili u shoqërua nga ambasadori turk në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, disa orë pasi autoritetet turke e arrestuan një kosovar, të cilin e akuzojnë se ka transferuar para tek operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi.
Zyra e kryeministrit nuk tregoi nëse arrestimi i Liridon Rexhepit ishte çështje diskutimi.
Ndërkohë, takimi i Kurtit me Gorgun vjen disa muaj pasi ai e vizitoi Turqinë, ku u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe mori pjesë në forumin e parë ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, të cilin e cilësoi asokohe si mundësi për thellimin e marrëdhënieve dhe rritjen e investimeve mes dy vendeve.
Verën e kaluar, Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Kurti tha asokohe se me blerjen e tyre, Kosova “është edhe më e sigurt”, dhe shtoi se oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e dronëve.
Se sa dronë u blenë, nuk u bë e qartë atë kohë.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.