Kushtrim Bekteshi: Të ngjashëm me Rikardin e Tretë jashtë skenave teatrore fatkeqësisht janë ‘ngjallur’ në realitetin e politikës globale

Në Teatrin Shqiptar në Shkup së shpejti nën regji të Kushtrim Bekteshit do të vihet në skenë “Rikardi III” nga Shekspiri. Për atë se çfarë e pret publikun, regjisori Bekteshi në një bisedë për Portalb.mk ndau më tepër detaje.

Portalb.mk: Kushtrim, po sfidoheni që të vëni në skenë një vepër të Shekspirit. Na tregoni çfarë po përgatisni që të shfaqni para publikut?

Kushtrim Bekteshi: Në fakt është hera e parë që unë po sfidohem me interpertimin skenik të një vepre të Shekspirit. Ka më shumë se dy muaj që me aktorët e Teatrit Shqiptar të Shkupit dhe me dy aktorë mysafir si pjesë e ekipit të shfaqjes jemi duke përgatitur shfaqjen “Rikardi III”, që besoj se së shpejti do ta shfaqim para publikut.

Ekipi përbëhet nga 18 aktorë, ku në rolin e Rikardit III është Adem Karaga, pastaj kemi aktorin nga Kosova, të mirënjohur për publikun tonë nga filmat dhe serialet televizive, Shkumbin Istrefi, si dhe aktorë e ansamblit rezident të Teatrit Shqiptar: Teuta Ajdini Jegeni, Vjollca Bekteshi Hamiti, Amernis Nokshiqi, Abedin Alimi, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Dritëro Ame, Fisnik Zeqiri, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Rrahim Ramadani, Sara Bajrami, Gentiana Ramadani, Hetem Etemi, Sabina Memishi Asllanaj, dhe studentin e aktrimit Deniz Rrustemi. Skenograf në shfaqje është Betim Zeqiri, kostumografe Samka Ferri dhe kompozitor Trimor Dhomi. 

Portalb.mk: Çka trajton tragjedia “Rikardi i III”?

Kushtrim Bekteshi: Tragjedia monumentale “Rikari III”, e shkruar diku mes viteve 1592-1594, trajton anën më të errët të natyrës njerëzore në luftën për pushtet, hakmarrje dhe sundim tiran ndaj të tjerëve. Ngjarja përcjell ngritjen e “Rikardit III” në pushtet përmes intrigave, manipulimeve dhe dhunës, pastaj sundimin e tij autoritar dhe krimet e llahtarshme që urdhëron e kryen, deri në shembjen e sundimit të tij kur ai edhe vritet në fund.

Personazhe të ngjashme me “Rikardin III” i kemi të njohura edhe nga e kaluara e largët dhe e afërt, siç janë Hitleri, Stalini, Mao Ce Dun dhe shumë diktatorë të tjerë të cilët gjatë kohës së sundimit të tyre kanë shkaktuar tragjedi dhe kryer krime të përmasave monstruoze. Të ngjajshëm me ta janë ose kanë potencial të madh që të vijnë në pushtet në çdo hapsirë gjeografike ku mendimi kritik qytetar korruptohet, ku përplasjet radikale të ideologjive kontradiktore arrijnë përmasa të një lufte të ashpër për pushtet dhe ku dezinfomatat e mjegullojnë të vërtetën dhe vlerat bëhen mall tregu për shitje.

Prandaj, edhe në shfaqje do të trajtohen temat e luftës së përgjakshme për pushtet; korrupsionit, mbi të gjitha korruptimin e mendimit kritik dhe zërit intelektual; bullizimit dhe pasojat që i sjell ky fenomen shoqëror; dezinformimit dhe propagandës politike si mjet për mjegullimin e të vërtetës dhe manipulimin me masat, si dhe demokracisë kundrejt autoritarizmit.

Fotografi nga arkivi personal i regjisorit Kushtrim Bekteshi. Foto: Kushtrim Bekteshi
Fotografi nga arkivi personal i regjisorit Kushtrim Bekteshi. Foto: Kushtrim Bekteshi

Portalb.mk: Sa është e vështirë për të vënë në skenë veprat e Shekspirit?

Kushtrim Bekteshi: Që në vitet e studimeve për regji teatri, çdo student ëndërron t’i inskenojë veprat e Shekspirit, sidomos tragjeditë e tij monumentale, si “Hamleti”, “Rikardi III”, “Makbethi”, etj… Ta lexosh Shekspirin është një gjë më e lehtë, ta kuptosh thelbin kërkon pjekuri, e ta interpretosh në skenë domosdoshmërisht nevojitet përvojë jetësore dhe profesionale.

Veprat e Shekspirit, sidomos tragjeditë e tij monumentale, janë si një oqean që mund ta soditësh nga larg sipërfaqësisht me dylbi apo hipur mbi një anije, apo të zgjedhësh ta studiosh e eksplorosh si zhytës dhe të zbulosh shumështresimet që fshihen në brendësi të tij. Për të parën duhet vetëm dëshira, ambicja dhe ëndërrimet rinore, për të dytën duhet përvoja dhe nevoja e papërballueshme për të thënë diçka përmes veprës së tij.

Mendoj se e dyta është ajo që duhet ta bëjmë dhe kjo është sfida e vërtetë, që më pastaj të gjejmë mënyrën si ta përkthejmë në aktualitetin tonë dha ta bëjmë të afërt dhe të kuptueshëm për publikun e sotëm. Unë këtë nevojë kam ndjerë për ta interpretuar në skenë tragjedinë e tij monumentale “Rikardi III”. 

Portalb.mk: Çka ju shtyu që ta ngjallni në skenë veprën “Rikardi i III”?

Kushtrim Bekteshi: Aktualiteti i zhvillimeve dramatike në politikën globale, me impakt indiriekt e direkt në realitetin dhe jetën tonë. Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më është ngjallur nevoja që të merrem me tragjedinë “Rikardi III”, e kam rilexuar disa herë dhe pastaj fillova të mendoj seriozisht për interpretimin skenik të kësaj vepre. Ajo luftë, ai pushtim, e ka ndryshuar botën dhe po vazhdon ta ndryshojë.

Nuk e di si do të jetë epilogu i asaj lufte, por pasojat po i ndiejmë dhe mendoj se do t’i ndiejmë edhe shumë gjatë. Balanca e një paqeje relativisht të qëndrushme në botë është prishur, pushtetet autoritative janë duke kërcënuar stabilitetin, demokracinë dhe paqen e kontinentit tonë, por edhe të gjithë globit. Paralajmërimet e frikshme për një Luftë të Tretë Botërore ka tre vite që ngjallin ankth e pasiguri te gjithsecili.

Prandaj e shoh të domosdoshme që ta ‘ngjallim’ dhe ta shohim në skenë “Rikardin III”, me qëllim që të reflektojmë dhe të bëhemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë kolektive në parandalimin e çdo individi të ngjajshëm me këtë personazh që mund të na ‘ngjallet’ në realitetin politik dhe me sundimin e tij të na rrezikojë lirinë dhe demokracinë. Të tillë të ngjashëm me Rikardin e Tretë jashtë skenave teatrore fatkeqësisht janë ‘ngjallur’ në realitetin e politikës globale, por a do të kenë fundin e Rikardit III mbetet të shihet. Në shfaqje, bazuar edhe në veprën e Sheksipirit, japim një variante se si mund të jetë epilogu i këtyre zhvillimeve globale, duke lënë gjithmonë një pikpyetje të madhe se si do të duket bota në të ardhmen.