Kushtetuesja reagoi ndaj akuzave të LSDM-së pas procedurës për rritjen lineare të pensioneve: Është sulm ndaj pavarësisë së Gjykatës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut reagoi sot ndaj asaj që ata e quajnë “retorikë të bazuar në gënjeshtra dhe manipulime” në lidhje me çështjen për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Nenit 2 të Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, i njohur si “rritja lineare e pensioneve”. Gjykata paralajmëron se skualifikimi publik për procedurat në këtë rast sulmon drejtpërdrejt integritetin, autonominë dhe pavarësinë e gjyqtares raportuese Dobrilla Kacarska, si dhe të gjithë institucionin, transmeton Portalb.mk.

Në reagimin e saj, Gjykata i cilësoi si të papranueshme tezat se “LSDM përmes Kacarskës nisi sulm për të shfuqizuar rritjen e pensioneve” ose “LSDM përmes Dobrilla Kacarskës dëshiron t’ua ndalojë rritjen”. Sipas Gjykatës Kushtetuese, teza të tilla krijojnë perceptim të gabuar të punës së institucionit.

Gjykata informoi se janë paraqitur 17 iniciativa nga qytetarët për të shqyrtuar Nenin 2 të ndryshimeve ligjore.

“Fyerja publike e gjyqtares raportuese ose e ndonjë gjyqtari në korrelacion me interesat partiake përbën përpjekje për të minuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Gjykata thekson se vendimet merren me shumicë votash, jo me votën e një gjyqtari të vetëm, duke shtuar se manipulimi i vetëdijshëm është presion dhe precedent i rrezikshëm kur një vendim që nuk u përshtatet subjekteve politike shpallet “partiak”.

Gjykata Kushtetuese u bën thirrje politikanëve “të demonstrojnë nivel të lartë të kulturës kushtetuese dhe ligjore”, në vend që të përdorin retorikë që nxit tensione, rrit mosbesimin në sistem dhe nxit paqëndrueshmëri institucionale.

Gjykata theksoi se çështja e pensioneve nuk duhet të përdoret si alibi për ndikim politik ose ndërhyrje në punën e Gjykatës, dhe përsëriti se mbetet e palëkundur dhe imune ndaj çdo presioni ose përpjekjeje për ndikim, pavarësisht se nga kush vjen.

Reagimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas deklaratës së djeshme të deputetit të VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, para Komisionit të Financave dhe Buxhetit në Parlament se LSDM “përmes Kacarskës po pengon rritjen lineare të pensioneve”.

“Në mandatin e kaluar, LSDM emëroi Dobrilla Kacarskën në Gjykatën Kushtetuese, krahu i zgjatur i LSDM-së në Gjykatën Kushtetuese, gjykatësja kushtetuese paraqiti padi në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e rritjes lineare të pensioneve. Tani që dikush ka ardhur dhe i ka rritur pensionet e të gjithë pensionistëve me 7,000 denarë, Dobrlila Kacarska tani po paraqet vetë padi dhe dëshiron t’ua heqë këto rritje pensionistëve. LSDM, përmes Dobrilla Kacarskës, dëshiron t’jua heqë rritjen e pensioneve”, tha Stojanoski.

Gjykata Kushtetuese, në seancën e së mërkurës, nisi procedurat mbi nenin 2 të Ligjit për ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, i cili i referohet rritjes lineare të pensioneve, i cili zëvendëson rregullimin e rregullt mujor bazuar në rritjen e pagave dhe kostove të jetesës me një shpërndarje të barabartë të fondeve për të gjithë pensionistët, pavarësisht nga shuma e pensionit, kohëzgjatja e shërbimit ose kontributet e paguara.

Me propozimin e gjyqtares raportuese Dobrilla Kacarska, Gjykata vendosi me iniciativë të vet të fillojë procedurën sipas nenit 2 të Ligjit për ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, të botuar në “Gazetën Zyrtare” më 29.07.2025.