Kurti të hënën në Shkup, takim edhe me homologun Mickoski e me kabinetin qeveritar

Kryeministri Albin Kurti, të hënën me fillim nga ora 10 do të nisë një vizitë zyrtare në shtetin fqinj, Maqedoninë Veriore.

Siç mëson Klan Kosova, kreu i ekzekutivit kosovar do të ketë takime me krerët e shtetit maqedonas, nga homologu i tij Hristijan Mickoski, pastaj me ministrat e kabinetit qeveritar.

Ndërkaq, burimet kanë paralajmëruar një takim edhe me kryeparlamentarin e RMV-së, Afrim Gashi.

Kjo vizitë e Kurtit në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat.

Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal.

Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik.

MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast.

Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin.

Ndryshe, Ministria për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë në Kosovë më 1 gusht njoftoi se ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve në dy pjesë të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën.