Blinken: SHBA do të vazhdojë të mbështesë RMV-në në rrugën eurointegruese

Me një mesazh urimi me rastin e 33 vjetorit të pavarësisë dhe zgjedhjes historike të presidentes së parë grua, sekretarja amerikan i SHBA-së, Anthony Blinken i është drejtuar popullit maqedonas përmes një komunikate për media, transmeton Portalb.mk.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj popullin e Maqedonisë së Veriut për 33 vjetorin e pavarësisë dhe zgjedhjen historike të presidentes së parë grua në maj”, shkroi Blinken, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë partneritetin e fortë me Maqedoninë e Veriut të përqendruar në ndërtimin e një demokracie prosperuese të ankoruar në komunitetin euro-atlantik.

“Populli amerikan dhe populli i Maqedonisë së Veriut ndajnë një përkushtim ndaj vlerave demokratike. Ne mezi presim të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për promovimin e këtyre vlerave, forcimin e sigurisë dhe stabilitetit dhe thellimin e lidhjeve ekonomike në rajon. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin aleatin tonë, Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane në vitet në vijim”, thuhet në urimin nga Blinken.

Maqedonia e Veriut shënoi të dielen (08.09.2024) 33 vjetorin e pavarësisë së shtetit, me ç’rast u zhvilluan disa aktivite nën organizim të Qeverisë me sloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do t’ia dalim!”.

Ngjarja qendrore u mbajt në Filharmoninë e Maqedonisë së Shkup, e cila ishte pjesë e iniciativës më të gjërë të Qeverisë për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e pavarësisë dhe luftës së përbashkët të qytetarëve për ardhmëri më të mirë. Në këtë manifestim, kryeminsitri Hristijan Mickoski, shpalosi propozimin e tij për krijimin e një platforme për bashkim nacional.