Kurti: Isha i gatshëm ta shkruaj vetë draft-statutin për Asociacionin, nuk më lanë

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se ka qenë i gatshëm për ta shkruar vetë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por sipas tij, kjo nuk është pranuar nga palët e takimit në Ohër më 18 mars, raporton Koha.net.

Siç ka thënë ai të martën në një konferencë për media, për takimin e 2 majit midis nivelit të lartë në Bruksel i mbetet Bashkimit Evropian që ta përcaktojë agjendën.

“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, ka thënë ai. “Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak. Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane. I përket ekipit menaxhues që të shfaqet por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre por që nuk kanë pranuar”, tha tutje Kurti, raportoi EO.

Derisa foli për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Kurti ka thënë se fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës, e financuar nga Beogradi, nuk ka pasur për kohë të gjatë.

“Ne kemi bërë fushatë vazhdimisht. Unë kam pasur takime e fushata është zhvilluar nga kandidatët për kryetar të komunave atje. Mirëpo fushatë më të egër kundër serbëve të Kosovës moti nuk ka pasur e udhëhequr e financuar nga Beogradi dhe ekzekutuar nga elemente kriminale”, tha Kurti.