Kurti dhe Vuçiqi po luajnë poker që kërcënon të gjithë rajonin, vlerësoi deputeti gjerman

Sipas deputetit socialdemokrat gjerman, Josip Juratoviq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq po bëjnë një lojë të rrezikshme në rajon, raporton Koha.net. Në një intervistë për Deutsche Welle, Juratoviq ka thënë se qëllimi i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian janë që të dërgohet një sinjal në Kosovë, e se sinjale të ngjashme po dërgohen edhe në Serbi.

“Në situatën aktuale globale, veçanërisht në kontekstin e konfliktit të Ukrainës, ne kemi nevojë për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi nevojë për partnerë që japin një kontribut konstruktiv për stabilitetin. Aksionizma, si ajo e Kurtit në veri me dërgimin e kryetarëve të komunave, janë të panevojshme nga ana strategjike. Kurti dhe Vuçiq po luajnë një poker të rrezikshëm që kërcënon të gjithë rajonin”, ka thënë ai.

Dërgimin e kryetarëve të zgjedhur në komunat veriore që nxiti tensionet më pas e të gjitha veprimet që ngacmojnë qetësinë në veri, Juratoviq i ka quajtur lojëra të politikanëve “të çmendur”.

“Para së gjithash, më vjen keq që ushtarët tanë, pavarësisht se nga vijnë, edhe dekada pas luftës, duhet të përjetojnë dhunë, për shkak të lojërave që bëjnë disa politikanë të çmendur. Kjo është e trishtueshme dhe e turpshme për të dy popujt. Për ne ka qenë gjithmonë e qartë se jo gjithmonë mund të llogarisje me Vuçiqin. Por u indinjuam kur pamë që Kurti i dërgoi kryetarët e bashkive në zyra pikërisht ditën kur në Serbi zhvilloheshin protestat (29.05.) dhe kur kundërdemonstrata e madhe e Vuçiqit dështoi. Sipas meje, kjo ishte një manovër për të hequr vëmendjen nga Serbia. Ajo i edhi në ndihmë vetëm Vuçiqit. Po krijohet përshtypja se as Vuçiqi dhe as Kurti nuk janë të gatshëm ose nuk janë të aftë të kontribuojnë për vendosjen e paqes. Unë mendoj se arsyeja është se ata janë nën presionin e madh të forcave radikale. Në Serbi forcat radikale janë të lidhura me Kishën Ortodokse, ndërsa radikalët e Kurtit janë në diasporë dhe ëndërrojnë për një Shqipëri të Madhe. Kjo më zemëron më së shumti. Ata janë kosovarë që janë rritur në Gjermani, vetë janë në siguri dhe kultivojnë një nacionalizëm që dëmton vetëm njerëzit që jetojnë në rajon”, ka theksuar deputeti gjerman.

Sipas Juratoviqit, Kosova është larg prej demokracisë funksionuese që zhvillohet përmes dialogut dhe kompromisit. Ai ka thënë se demokracia nuk përfshin vetëm të drejtat e serbëve, por edhe të ashkalinjve, romëve dhe pakicave të tjera që jetojnë në Kosovë.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai ka theksuar se nuk ka model të caktuar për Kosovën, pos marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Nuk ka as model kroat, as model boshnjak e as model tjetër për Kosovën. Ajo që kemi është një marrëveshje që u arrit në Bruksel. Serbia dhe Kosova tani duhet të ulen në tryezë e të bisedojnë me njëra-tjetrën për këtë me qëllim që të gjejnë një zgjidhje që mund të implementohet nga të dyja palët”.

I pyetur nëse është penduar se e ka mbështetur Kurtin në të kaluarën, Juratoviq është përgjigjur se jo.

“Jo, nuk jam penduar. E mbështeta sepse kandidoi kundër koalicionit të korruptuar të luftës. Por unë nuk i mbështes tendencat nacionaliste, pavarësisht nga cili grupim etnike që vijnë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ai.