Kurti: Dekreti i Osmanit jokushtetues, zgjedhjet s’janë zgjidhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars. Lëvizja Vetëvendosje tha se vendimin e presidentes do ta çojë në Kushtetuese, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kryeministri Albin Kurti tha se dekreti është “jokushtetues” dhe se vendi ka kohë 60 ditë për ta zgjedhur presidentin.

Seanca e 5 marsit dështoi në mungesë kuorumi, meqë në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi menjëherë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh.

Megjithatë, sipas Osmanit, Kushtetuta është e qartë: procedurat për zgjedhjen e presidentit mund të nisin 60 ditë para afatit të fundit, por procesi duhet të finalizohet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.

Presidentja paralajmëroi se datën e zgjedhjeve të reja do ta shpallë pas konsultimeve me krerë të partive politike.