Kur identiteti bëhet selektiv

Të dielën, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit në disa komuna të vendit. Por përtej garës për postet e kryetarëve të komunave, këto zgjedhje sërish kanë hapur një debat më të thellë: si kuptohet, përdoret dhe gjykohet përkatësia etnike në jetën tonë politike.

Çështjet e identitetit dhe etnisë kanë qenë gjithmonë tema qendrore në çdo proces zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Ato ngrihen, diskutohen dhe interpretohen ndryshe, varësisht se kush flet për to. Kur disa liderë theksojnë përkatësinë kombëtare, kjo shihet si shprehje patriotizmi; kur të tjerë bëjnë të njëjtën gjë, ajo interpretohet si përçarëse. Të njëjtat fjalë marrin kuptime të ndryshme, varësisht prejardhjes politike dhe etnike të atyre që i shqiptojnë. Ky perceptim selektiv i identitetit vazhdon të formësojë tonin e jetës sonë publike, dhe me këmbëngulje përcakton se çfarë konsiderohet si diskurs politik i pranueshëm.

Pyetja që i mundon shumë qytetarë këto ditë është njëkohësisht e thjeshtë dhe e rëndë: A është përkatësia etnike mëkat kur e promovojnë shqiptarët, dhe akt patriotizmi kur e promovon VMRO-DPMNE?

Kur thirrja për “mbrojtjen e interesave kombëtare” vjen nga njëra anë, ajo lavdërohet si dashuri për atdheun; kur vjen nga ana tjetër, dënohet si nacionalizëm. Ky moralitet i dyfishtë e ka ndjekur prej kohësh diskursin tonë politik. Ai tregon se si identiteti, në vend që të jetë trashëgimi e përbashkët, është shndërruar në një mjet që disa mund ta përdorin lirisht, ndërsa të tjerëve u ndalohet.

Vlen të kujtojmë se sistemi ynë politik është ndërtuar si sistem shumëetnik, jo si rastësi gjeografike, por si zgjedhje e vetëdijshme, e lindur nga përvoja e konfliktit dhe kompromisit. Marrëveshja Kornizë e Ohrit kishte për qëllim t’i mbronte komunitetet nga manipulimi etnik, e jo nga vetë identiteti i tyre. Megjithatë, duket se sot kemi arritur sërish në atë pikë ku shprehja e përkatësisë etnike nga shqiptarët interpretohet si kërcënim për shtetin, ndërsa i njëjti sentiment, kur vjen nga të tjerë shihet si shenjë besnikërie ndaj shtetit.

Kjo mospërputhje nuk i shërben askujt. Ajo e dobëson indin e besimit mbi të cilin mbështetet demokracia shumëetnike. Kur qytetarët ndjejnë se rregullat e shprehjes politike nuk zbatohen në mënyrë të barabartë, lind cinizmi, e më pas edhe largimi nga besimi në institucionet. Uniteti nuk mund të ndërtohet mbi standarde selektive të legjitimitetit, ai duhet të mbështetet mbi drejtësi dhe barazi.

Identiti etnik, gjuha apo kultura, nuk mund të konsiderohen asnjëherë si mëkate në vetvete. Identiteti bëhet i rrezikshëm vetëm kur përdoret si armë për të përjashtuar, për të dominuar ose për të heshtur tjetrin. Por në esencë, identiteti duhet të jetë burim krenarie, solidariteti dhe përkatësie. Maturia e një demokracie qëndron në aftësinë e saj për t’i dalluar këto dy përdorime dhe për të krijuar hapësirë për kultivim pa frikë të identitetit.

Ndërsa qytetarët përgatiten të bëjnë zgjedhjen e tyre këtë të diel, ndoshta reflektimi më i thellë që na duhet është ky: a mundet politika jonë të tejkalojë më në fund dyshimin se identiteti i një grupi është më i pranueshëm se i tjetrit? Sepse derisa kjo të ndodhë, demokracia jonë do të mbetet e bllokuar në një hierarki besnikërish, ku të njëjtat fjalë gjykohen ndryshe, jo për nga kuptimi që ato mbartin, por për nga individi që i shqipton ato.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.