Kur gjithçka të jetë harruar

Rrojmë në kohën e zhurmës globale. Në kohën e spektakleve dhe “personave të rëndësishëm”. Mediat i bëjnë të famshëm dhe i shpallin të rëndësishëm personazhet tragjikomikë, por pa mundur që t’i bëjnë më të mençur dhe më të ditur sesa janë. Nëpërmjet spektakleve na largojnë vëmendjen nga gjërat esenciale, që i duhen dhe i japin kuptim jetës.

Me “personat e rëndësishëm” fotografohen edhe politikanët, sepse, shpesh, kanë të njëjtin intelekt si ata; sepse politikën e shohin si spektakël dhe si mundësi për ta përmbushur vullnetin e tyre për pushtet, lavdi e pasuri. Kiçi politik e stimulon kiçin në kulturë

Ata punojnë në heshtje, me përkushtim e sakrificë, ndonëse përmenden rrallë, nuk do të harrohen. Emrat e tyre i mban gjallë vepra që kanë krijuar. Gjithnjë vjen koha kur ndodh ajo që tha Stanislav Leci: “Nuk e dimë se kush ishte ministër kulture në kohën e Shekspirit”.

Kur gjithçka tjetër të jetë harruar, kur askush nuk do t’i kujtojë emrat e “personave të rëndësishëm”, atëherë dhe vetëm atëherë, lexuesit e pasionuar, që nuk i mungojnë asnjërës kohë dhe që jetojnë përtej ritmeve të shpejta të modës, pavarësisht nga zhvillimet teknologjike, pavarësisht se bota mund të jetë më e ftohtë shpirtërisht sesa është sot, do të mësojnë se, në kohë zhurme, rrojtën artistë të heshtur, të padukshëm, që i folën jo vetëm kohës së tyre, por edhe kohërave të ardhshme. Ndërkaq yjet e aktualitetit, një fshesë e pamëshirshme e harresës do t’i ketë fshirë nga dërrasa e historisë, sepse jo zhurma, por heshtja, jo britma, por një klithmë e mbytur e pazëshme, dëgjohet ndër kohëra.

Ja ky është shkaku pse shkrimtarit, artistit, asnjëherë nuk i ngutet. Ai e di se është maratonomak që ka shumë rrugë për të bërë nëpër kohëra. E di se cikli i tij i përmendjes nuk mbaron ditën kur pranë një trupi të vdekur thuhen lutjet e fundit…

Megjithatë, koha e humbur me “personat e rëndësishëm” është tepër e kushtueshme për një brez,duhet ta dijë se është më mirë të punojë në heshtje dhe koha të punojë për të, sesa të bëhet pjesë e zhurmës dhe ta humbë betejën me kohën

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre