E barasvlefshmja e kësaj shprehjeje në gjuhën angleze: “cancel culture”. Ndryshe quhet edhe “call-out culture” (“thirrjes në llogari” ose “kultura e denoncimit publik”), “public shaming” (turpërimi publik). Ky lloj subkulture, që është mbiquajtur edhe “inkuizicion i epokës digjitale” (Baydar, 2024), i referohet një fenomeni shoqëror në të cilin një person, organizatë apo figurë publike bojkotohet, kritikohet ashpër ose përjashtohet nga diskursi publik për shkak të veprimeve, deklaratave apo qëndrimeve që perceptohen si të dëmshme, fyese apo të papranueshme shoqërisht (socially unacceptable) dhe moralisht.
Kjo zakonisht ndodh në rrjete sociale, por mund të shtrihet edhe në jetën institucionale apo publike. Sipas fjalorit Merriam Webster kultura e anulimit i referohet tërheqjes masive të mbështetjes ndaj figurave publike apo të famshme, të cilët kanë bërë veprime që nuk pranohen nga normat sociale të sotme apo në fuqi. Kjo praktikë e turpërimit publik masiv ndodh shpesh në platformat e rrjeteve sociale, si Twitter, Instagram apo Facebook, ku përdoruesit kritikojnë ashpër, bojkotojnë, apo distancohen kolektivisht nga një person i caktuar apo entitet kolektiv. Ndryshe ky aksion quhet edhe “përjashtim etik nga sfera publike”, që është vetëm një segment i tij, ngase shpesh shfrytëzohet edhe për denigrim të njerëzve të ndershëm.
Kultura e anulimit, si koncept që lindi nga një grup specifik aktivistësh shoqërorë, vitet e fundit po përhapet në gjithë globin. Albumi i grupit Chic nga viti 1981, me titull Take It Off, përfshin këngën “Your Love Is Cancelled” (“Dashuria jote është anuluar”), e cila e krahason një ndarje dashurie me anulimin e emisioneve televizive. Deri në vitin 2015, koncepti i “anulimit” (canceling) ishte përhapur gjerësisht në Black Twitter për të shprehur antipatinë ndaj një artisti, filmi, kënge etj.). Para 2019-tës shprehja “cancel culture” nuk është kërkuar fare në google. Atë vit ajo u shpall fjala e vitit nga Macquarie Dictionary në Australi dhe u përfshi gjithashtu në listën e shkurtër për fjalën e dekadës në vitin 2021.
Në 8 korrik 2020 shkrimtarja J.K. Rowling në CNBC kritikoi këtë lloj kulture. Nga viti 2020 është përdorur nga qarqet konservatore si një frazë e goditur për të nxitur zemërim, shpesh në bashkëngjitje me agjenda të tjera të ashtuquajtura “të majta”, si korrektësia politike apo wokeness-i (zgjimi shoqëror). Ky koncept, që fillimisht kishte për qëllim mbajtjen përgjegjëse të figurave publike për fjalët apo veprimet e tyre, tani është kthyer në një armë retorike, ku njëra palë e sheh si një mjet për drejtësi sociale, ndërsa pala tjetër si një kërcënim ndaj lirisë së shprehjes dhe mendimit ndryshe.
Lëvizjet me hashtag si #MeToo dhe #BlackLivesMatter ndihmuan në përhapjen më të gjerë të veprimit dhe gjuhës së kulturës së anulimit. Harku i figurave të përsfhira në rjetin e anulimit është i gjerë, nga ato klasike deri te ato të ditëve tona. Të anuluar konsiderohen edhe i famshmi Dostojevski si masë kundër agresionit ndaj Ukrainës (Dushi, 2023), Picasso në bazë të thënies “gratë janë ose perëndesha ose fshesa pragu“, Orhan Pamuk në Turqi lidhur me deklaratat për problemin kurd dhe armen, teologu Mustafa Oztyrk për shkak të qëndrimeve lidhur me historicitetin e ca pasazheve të Kur’anit.
Në shënjestër kanë qenë edhe presidenti Trump në vitin 2020, artisti Woody Allen, këngëtari i famshëm Michael Jackson, shkrimtarja JK Rowling etj. Shembull i këtij aksioni janë edhe “Black Twitter”, një komunitet dinamik online i përdoruesve me ngjyrë (afro-amerikanë), kryesisht në platformën X (dikur e njohur si Twitter) dhe “Black Lives Matter”, një lëvizje ndërkombëtare që u formua për të protestuar kundër dhunës policore, racizmit sistematik dhe padrejtësive që përjetojnë njerëzit me ngjyrë, veçanërisht afro-amerikanët në Shtetet e Bashkuara.
Diet Prada është një llogari në Instagram që denoncon pabarazitë në industrinë e modës dhe kopjimet mes markave. Edhe pse zakonisht fokusohet tek imitimet e markave të njohura, ajo ka arritur të adresojë dhe sfidojë çështje madhore ndaj gjigantëve të modës si Dolce & Gabbana. Fushata e tyre më e fundit, #BoycottDolceAndGabbana, ishte një reagim ndaj paragjykimeve dhe komenteve raciste të markës ndaj komunitetit kinez.
Kjo fushatë mori mbështetje publike nga figura të njohura si Chrissy Teigen dhe Miley Cyrus, dhe i kushtoi markës rreth 2 milionë dollarë brenda vetëm disa ditësh. Ky rast tregon fuqinë e mediave sociale për të ndikuar realisht në sjelljen dhe ekonominë e korporatave, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara.
Vazhdon…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.