“Penda” sonte do të promovojë librin “Tetova në rrjedhën e historisë”, vepër nga autori Ferhan Jakupi
Sonte me fillim nga ora 19:00 në hapësirat e Europe House në Tetovë (ish-lokacioni i Bibliotekës në Shtëpinë e Kulturës), Asociacioni për Edukim “Penda”, organizon promovimin e librit “Tetova në rrjedhën e historisë”, një vepër e çmuar nga autori Ferhan Jakupi-Mertol, shkruan Portalb.mk.
“Tetova në Rrjedhën e Historisë” nga Ferhan Jakupi (Mertol) është një vepër origjinale që paraqet Tetovën me gjithë pasuritë kulturore, historike dhe shoqërore të saj. Duke u nisur nga një tregim autobiografik, autori ndan me lexuesin një rrëfim të thellë, emocional dhe të dokumentuar me kujdes, që përshkruan aspekte të ndryshme të qytetit të tij të lindjes. Libri është redaktuar dhe lekturuar nga Prof. Xhelal Zejneli, ndërsa recenzimi është realizuar nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili, thuhet në njoftimin e Muzeut Virtual të Tetovës.

Çfarë do të zbuloni në këtë libër:
- Historinë e Tetovës që nga lashtësia deri në ditët e sotme.
- Përshkrime të detajuara të rrugëve, lagjeve, monumenteve historike (urave, xhamive, teqeves) dhe jetës së përditshme.
- Tregime emocionuese për shpërnguljet masive drejt Turqisë.
- Ngjarje historike dhe ndikimin e tyre mbi qytetin: Lidhja e Prizrenit, Luftërat Ballkanike, Lufta e Dytë Botërore, demonstratat e viteve 1968 dhe 1981, lufta e vitit 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit.
- Pasurinë kulturore të Tetovës: traditat popullore, dasmat tetovare, lojërat dhe veshjet tradicionale.
- Historinë e arsimit në gjuhën amtare: shkollat e para, mësuesit e parë dhe rolin e universiteteve në Tetovë.
- Qindra fotografi autentike, shumë prej të cilave publikohen për herë të parë!
Të drejtat e botimit dhe shpërndarjes së librit i janë dhuruar Asociacionit për Edukim “Penda”, dhe të ardhurat do të shfrytëzohen si bursa për studentë. Duke e blerë këtë libër, ju mbështesni edukimin e gjeneratave të reja!
Çmimi simbolik i librit është 900 denarë.
Libri mund të sigurohet online: linku në koment,
Nëpërmjet të telefonit: 070-255-995, 071-247-273, apo
Nëpërmjet transferit bankar: 270071950440139 (PENDA AEP Tetovë).