KSHZ miratoi tri ankesa të VMRO-DPMNE-së, do të ketë rivotim në Ohër dhe Krushevë

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në seancën e djeshme pranoi ankesat për zgjedhjet parlamentare të koalicionit “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për tre vendvotime. Rivotim do të bëhet në vendvotimin 1272 në komunën e Ohrit, si dhe në vendvotimet 1194 dhe 1202 në Krushevë, transmeton Portalb.mk.

Siç theksoi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, pas numërimit në vendvotimin 1272 në Ohër, është konstatuar se procesverbali nuk është plotësuar në mënyrë korrekte, si dhe është bërë korrigjim në pjesën e votuesve të hyrë manualisht.

Kundër ankesës votoi vetëm nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, e cila theksoi se numri i votuesve përputhet me numrin e nënshkrimeve. Ajo sqaroi se vërejtja për rezultatet e kësaj qendre votimi në fakt i referohet rekordit 16 në pikën 4 i cili është plotësuar gabimisht dhe ky është, thotë ajo, një gabim që konstatohet pothuajse në të gjitha këshillat zgjedhore.

Në Krushevë janë pranuar ankesat për dy vendvotime për shkak të mospërputhjes së numrave nga procesverbali dhe atyre nga aparati biometrik i identifikimit.

KSHZ-ja paraprakisht dje pranoi një ankesë të koalicionit “Vlen”, i cili ka të bëjë me votimin në vendvotimin 2102 në Zhelinë. Siç shkruhet në denoncim, ajo është depozituar për shkak se 110 zgjedhës që ushtronin të drejtën e votës nuk kishin gjurmë gishtash në aparatin e gjurmëve të gishtave, por votuan vetëm me numrin e tyre të identifikimit dhe duke skanuar letërnjoftimin.

Për rezultatet e zgjedhjeve, në KSHZ janë dorëzuar 27 ankesa – nëntë nga koalicioni “Vlen”, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM dhe katër nga e Majta. Kryetari i KSHZ-së, Dashtevski, në seancën e KSHZ-së theksoi se bëhet fjalë për ankesa grupore në disa vendvotime.

Koalicioni “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI, pretendon se partitë politike maqedonase në koordinim me koalicionin “Vlen” dëshirojnë t’i heqin një deri në dy mandate parlamentare përmes KSHZ-së.