KShPK-ja do të ngrejë iniciativë për ndjekje penale të drejtorit të Agjencisë së filmit dhe dy kryetarëve aktual dhe të dikurshëm të një komune

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në seancën e sotme ka marrë vendim që të dorëzojë në Qeveri një iniciativë për përgjegjësi dhendjekje penale për funksionimin dhe shpenzimin e pakujdesshëm të mjeteve buxhetore të drejtorit të Agjencisë së Filmit, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska, në detaje shpjegoi rastin me Agjencinë e Filmit, raportet e auditimit për punën financiare të Agjencisë dhe dokumentet që kontrollohen, përfshirë punësimet në Agjenci dhe punësimin e ekspertëve dhe personave me kontratat e punës.

Ivanovska theksoi se Qeveria duhet t’i dëgjojë rekomandimet e tyre dhe të rilexojë raportet e revizionit.

“Nuk mund të ngremë krye nga punësimet partiake”, thotë kryetarja e KShPK-së për punësimin e ushtruesve të detyrës në disa institucione dhe punonjësve me kontrata autoriale.

KShPK-ja miratoi edhe iniciativë për ndjekje penale kundër kryetarit aktual dhe ish-kryetar të Radovishit për shkak se 12 herë kanë punësuar një person si ushtrues detyre të drejtorit të ndërmarrjes publike “Plavaja”-Radovish pa shpallur njoftim.

Anëtari i Komisionit, Nuri Bajrami, i cili iu referua rastit, tha se për pranimin e këtij personi as edhe një herë nuk është shpallur konkurs sepse nuk ka pasur mundësi për kandidatë të tjerë, gjegjësisht i është mundësuar vetëm një personi të punësohet dhe të marrë pagë funksionari. Sipas tij, kjo situatë nuk mund të quhet ndryshe veçse korrupsion dhe ndërhyrje në sistemin juridik.

Në verifikimin e dokumentacionit është konstatuar se personi është me arsim të lartë përkatës.

Në KShPK janë dërguar edhe materialet për rastin e Klinikës së Onkologjisë, por ato do t’i përcillen institucioneve kompetente, duke qenë se tashmë është duke u hetuar në Prokurori.

Në fillim të seancës së sotme, KSHPK-ja shqyrtoi Raportin e Komisionit Evropian në pjesën që ka të bëjë me punën e tyre.

Kryetarja Ivanovska tha se pavarësisht se janë në Komisionin për vitin e pestë, efekti i punës së tyre nuk mund të realizohet plotësisht për shkak të mosrealizimit të iniciativave të tyre nga institucionet, Qeveria dhe autoritetet tjera.

Ajo shprehu shpresën se përbërja e radhës e Komisionit, për të cilën tashmë është shpallur, do ta tejkalojë punën e tyre në kuptimin pozitiv sepse ka një bazë të mirë për të.

“Shpresoj se vetëdija e institucioneve, e strukturës menaxhuese, e liderëve, e të gjithëve do të funksionojë dhe të dimë se varet nga ne dhe se duhet realisht të merremi seriozisht me këtë problem”, tha Ivanovska.

Në seancën e sotme, KShPK-ja shqyrtoi edhe raste të tjera.

Kujtojmë se në Raportin e progresit të për Maqedoninë e Veriut situta me luftën kundër korrupsionit në vend ësht vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.