Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva dha dorëheqje: Tentuan të më cenojnë integritetin
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Dameva e ka bërë të ditur dorëheqjen e saj në një konferencë për media në Këshill, në të cilën ka theksuar se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal, transmeton Portalb.mk.
“Konsideroj se e vetmja gjë që më mbetet është të mbroj integritetin tim personal, paqen dhe mirëqenien, edhe për mua edhe për familjen time. Për këtë, dorëzoj dorëheqje të parevokueshme nga funksioni kryetare e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Vesna Dameva.
Ajo theksoi se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal. Ajo e drejtoi gishtin nga kryeministri Hristijan Mickoski.
“Në disa raste ai dhe politikanët e pushtetit aktual kanë trajtuar qëndrime negative ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. E gjithë kjo për t’i paraqitur publikut se unë apo anëtarët e Këshillit nuk e kryejmë funksionin profesionalisht dhe profesionalisht. Na vunë në dukje si organe për t’u shpërbërë. Në një dalje televizive ai po ashtu theksoi se njerëzit e tyre duhet të vijnë te ne, supozoj se bëhet fjalë për gjyqtarë apo prokurorë që janë të afërt me partinë politike në pushtet. Është shkatërruese për një shtet demokratik”, tha Dameva.
Dameva falënderoi anëtarët e Këshillit, për të cilët tha se kanë integritet. Sipas saj, shumica në Këshillin Gjyqësor janë profesionistë.
“Thellë brenda vetes besoj se gjyqtarët janë profesionistë dhe të paanshëm. Atyre që nuk janë, u them: mos luani me zjarrin, po zhvlerësoni funksionin e gjyqtarit, që nuk është zanatë dhe tregti, por do të thotë dhënie drejtësie. Pritet që një numër i madh i gjyqtarëve të cilët e japin drejtësi ta largojnë kancerin nga radhët e tyre”, tha Dameva.
Ajo gjithashtu theksoi se kërcënime për përgjegjësi penale janë bërë edhe nga deputeti në Kuvend, Antonijo Milloshoski.
Dorëheqja e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, e ka komentuar BDI, nga ku thonë se ky akt, shënon një tjetër moment dramatik që pasqyron gjendjen alarmante të kapjes së shtetit dhe rrënimin e pavarësisë së institucioneve.
“Sulmet personale, presionet politike dhe manipulimet publike që përshkruan zonja Dameva janë një pasqyrë e qartë e qeverisë jolegjitime dhe të papërgjegjshme, e cila nuk ndalon në përpjekjet për të shtrirë kontrollin mbi çdo segment të shtetit. Kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të garantojë një sistem të drejtë dhe të pavarur gjyqësor, por po përdor çdo mjet për të shantazhuar dhe diskredituar ata që nuk janë të gatshëm të përkulen përballë presioneve politike. Kur funksionarët e lartë të drejtësisë, të ngarkuar me mbrojtjen e ligjit dhe drejtësisë, shantazhohen publikisht, mesazhi që përcillet është i qartë: në këtë vend, pavarësia institucionale është bërë armik i qeverisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga ana tjetër, kalicioi në Qeveru, VLEN, thotë se BDI vitin e kaluar e shkarkoi, ndërsa sot e qanë Vesna Damevën.
“E njëjta Vesna Dameva që sot dha dorëheqje dhe BDI derdh lot krokodili për presion ndaj saj, Selim Ademi -anëtar i BDI-së, i cili në atë kohë në cilësinë e nënkryetarit e mbivotoi dhe e shkarkoi nga pozita e kryetares për shkak se ajo nuk ishte e dëgjueshme që të fut në rend dite pikat që i shkojnë përshtati ish pushtetit të kaluar”, thuhet në përgjigjen e VLEN-it.
Dameva është zgjedhur kryetare e Këshillit Gjyqësor më 5 dhjetor 2022. Mirëpo, me mandatin e Damevës, jo gjithçka shkoi mirë sepse vitin e kaluar në prill, ajo u shkarkua në një procedurë të kundërligjshme. Gjykata Administrative vendosi se ajo u shkarkua në mënyrë të paligjshme dhe u rikthye në detyrë më 3 janar, duke lënë një boshllëk nëntë muajsh në mandatin e saj.
Dameva tha se po jep dorëheqje vetëm nga posti i kryetares, ndërsa mbetet anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Mandati i Kryetarit të Këshillit zgjat dy vjet.
- LEXO: Këshilli Gjyqësor: Të gatshëm ta rikthejmë Damevën nëse urdhëron Gjykata, por ende s’kemi marrë vendim
- LEXO: Ish kryetarja Dameva e paditi Këshillin Gjyqësor: Nëse nuk reagon gjyqësori, do t’i tregoj me emër ata që kanë ndikuar politikisht
- LEXO: U shkarkua kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva