Kryetari i Pejës u sulmua fizikisht nga dy persona
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, të shtunën në mëngjes është sulmuar fizikisht nga dy persona, ka konfirmuar Policia e Kosovës. Sipas Policisë, dy të dyshuarit janë arrestuar menjëherë pas sulmit, raporton Koha.net.
Muhaxheri ka pësuar lëndime trupore në incidentin që ka ndodhur në rrugën “Bill Klinton”.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Për rastin ka reaguar menjëherë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka kërkuar nga organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta pas sulmit fizik ndaj kryetarit të Pejës.
Në një status në Facebook, Abdixhiku ka thënë se këto sulme nuk do ta ndalin e as ta frikësojnë Muhaxherin.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, ka shkruar ai.
Pas sulmit, edhe vetë Muhaxheri, i cili po udhëheq Pejën qe tri mandate, ka shkruar në Facebook, duke thënë se është shëndosh e mirë.
“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar ai.