Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut paralajmëroi rritje të rrogave në arsimin e lartë

Kryetari i Kuvendit тë Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski  ka paralajmëruar propozim-ndryshime të Ligjit për Arsimin e Lartë në lidhje me ndryshimin e koeficientit të rrogat e të punësuarve në arsimin e lartë, pas protestave të realizuara sot në disa universitete të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Me qëllim që ta tejkalojmë pozitën jo të barabartë të të punësuarve në pesë universitetet shtetërore: “Goce Dellçev” – Shtip, “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, Universiteti shtetëror në Tetovë, “Shën Apostoli Pal”, si dhe në Universitetin “Nëna Terezë”, në koordinimin e sotëm sollëm vendim të propozojmë ndryshime të Ligjit për arsimin e lartë, me të cilat do të rregullohet koeficienti për pagesës të rrogës së të punësuarve në institucionet e arsimit të lartë, me çka do të sigurohet rritje adekuate e rrogave për të gjithë”, deklaroi Mitreski.

Mitreski vlerësoi që përmes këtyre ndryshimeve investojmë në përmirësimin e standardit të të punësuarve në arsim dhe në gjeneratat e ardhshme.

“I ftojmë gjithë deputetët të mbështesin këtë zgjidhje ligjore, pasi arsimi është çështje ku është i nevojshëm konsensusi dhe ku nuk ka hapësirë për kalkulime politike dhe partiake”, deklaroi Mitreski.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) sot për MIA-n konfirmoi se e mbështesin çdo ide për rritje të pagave dhe nëse ka vullnet në Kuvend për nënshkrimin e saj, si institucion do të marrin pjesë në negociata.

“MASH-i dhe ministri Jeton Shaqiri e mbështesin çdo ide për rritjen e pagave të të punësuarve në institucionet arsimore pa dallim nëse janë në arsimin fillor, të mesëm apo të lartë. Duke pasur parasysh se themelues i universiteteve shtetërore është Kuvendi, nëse ka vullnet për  nënshkrimin e marrëveshjes kolektive edhe me universitete të tjera, përveç UKIM-in,  si institucion do të marrim pjesë në negociata, sepse kuadri mësimor – shkencor meriton paga më të larta”, potencojnë nga MASH-i.

Ndryshe, punonjësit e Universitetit të Tetovës sot protestuan për shkak të mosnënshtrimit të Marrëveshjes Kolektive nga Parlamenti për rritjen e rrogave si në Universitetin Shën “Kirili dhe Metodi”. Sindikata e UT-së kërkoi nënshkrimin e Marrëveshjes kolektive para shpërbërjes së parlamentit. Protestuan edhe profesorët deputetë nga e BDI-ja të cilët janë pjesë e Qeverisë dhe shumicës në Parlamentin e RMV-së.

Punonjësit në universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoninë e Veriut „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, nga shkurti do të marrin paga më të larta mesatarisht për rreth 22 përqind, ndërsa në formë retroaktive do t’ju paguhet edhe dallimi për muajin janar.