Sindikatat e pesë universiteteve publike në RMV të hënën në protestë pas mosnënshkrimit të Marrëveshjes kolektive nga ana e Kuvendit

Sindikatatat e pesë universiteteve publike – Universiteti “Goce Dellçev”- Shtip, Universiteti i Tetovës, Universitet “Shën Kliment Ohridski”-Manastir, Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup, Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologjike “Shën Apostol Pavle”-Ohër, të anashkaluara e të diskriminuara nga mosnënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive prej Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me miratim unanim kanë vendosur që të hënën me fillim në ora 13 do të mbajnë protestë e qetë dhe paqësore e të gjithë punonjësve para hyrjes së këtyre universiteteve, njofton Portalb.mk.

“Sindikatat e përshëndesin zbatimin e Marrëveshjes Kolektive nga ana e Qeverisë me UKIM-in, por njëherësh janë edhe kundër standardeve të dyfishta, diskriminimit dhe pabarazisë ndaj universiteteve të tyre, pasi e gëzojnë të njëjtin status dhe se shteti padrejtësisht i ka lënë anash”, thuhet një njoftimin e pesë universiteteve publike.

Në kumtesë potencojnë se Sindikatat nuk janë kundër askujt dhe protestat nuk kanë kurrfarë ngjyrimi politik, por, siç thonë, ato organizohen për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë së shkelur e të nëpërkëmbur nga ana
e organeve kompetente vendimmarrëse.

Punonjësit në universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoninë e Veriut „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, nga shkurti do të marrin paga më të larta mesatarisht për rreth 22 përqind, ndërsa në formë retroaktive do t’ju paguhet edhe dallimi për muajin janar.